Regjimi i Assadit ndalon 40 kamionë me ndihma, reagon OKB

Zëdhënësi i Zyrës së Koordinimit të Ndihmave pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Jens Laerke ka thënë se regjimi i Sirisë ende nuk ka dhënë leje për 40 kamionët me ndihma humanitare që do të shkonin në lindje të Halepit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për shtyp të organizuar në zyrën e OKB-së në Gjenevë Laerke tha: “Këtë mëngjes 40 kamionë të mbushur me ndihma humanitare kanë kaluar kufirin e Turqisë me Sirinë, por ndodhen ende në ambientet e pikës kufitare. Kjo gjë është shumë irrituese. Përse nuk është dhënë leja pyetni qeverinë siriane.”

Duke theksuar se në lindje të Halepit aktualisht janë 250 mijë njerëz në nevojë për ndihma humanitare, Laerke në vijim tha se në këto 40 kamionë gjenden materiale imediate për 80 mijë njerëz.

“Ashtu sikurse thashë kjo gjë është shumë irrituese dhe e gjithë bota është duke vështruar”, tha Laerke dhe në vijim i bëri përsëri thirrje regjimit të Asadit që të lejojë hyrjen e ndihmave në rajonet problematike.

Ai tha se kamionët me ndihma do të vijojnë rrugën e tyre vetëm pasi të jenë të sigurtë për rrugën e tyre. Laerke ka thënë gjithashtu se në rast të daljes së lejes kamionët do të ndahen në dy grupe dhe do të nisen për rrugë në dy ditë të ndryshme.