Rekord ditor, mbi 17 mijë persona u vaksinuan brenda 24 orëve në Kosovë

Sot janë vaksinuar 17 mijë e 322 persona në Kosovë, duke e thyer kështu rekordin e vaksinimeve brenda 24 orëve në vend.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, përmes një shkrimi në Facebook.

MSH thekson se gjithsej doza të administruara janë 445 mijë e 650, ndërsa të vaksinuar me dozën e parë janë 289 mijë e 743 persona.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 155,907.

Ndërsa, sot nga 3 mijë e 3667 mostra të marra, pozitive kanë rezultuar 110 sosh, një person ka vdekur si pasojë e COVID-19 ndërsa janë shëruar dy pacientë.

Nga 13 marsi 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 108,623 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,267 kanë vdekur.