Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Revolta rinore anti-Rama s’ndalet

Revolta rinore anti-Rama s’ndalet

Nxënës dhe studentë bojkotojnë mësimin dhe vazhdojnë protestat

Revolta e studentëve dhe nxënësve nuk është shuar pas tensioneve të një dite më parë në Tiranë. Pakënaqësia ndaj gjendjes në arsim dhe mungesës së reagimit institucional po vijon të mobilizojë të rinjtë, të cilët po i bashkohen protestave dhe po përdorin bojkotin e mësimit për të bërë të dëgjuara kërkesat e tyre.

Studentët e Mjekësisë dhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” janë pjesë e kësaj vale kundërshtimi, që po merr përmasa përtej një tubimi të zakonshëm.

Bojkoti shënon një tjetër sinjal të pakënaqësisë së të rinjve, në një kohë kur përplasjet e fundit kanë rritur tensionet mes protestuesve dhe institucioneve shtetërore.

Të martën, protesta kombëtare para Ministrisë së Arsimit u përshkallëzua në përplasje me policinë. Protestuesit hodhën bojë dhe vezë drejt godinës, dëmtuan xhama dhe shkulën pjesë të gardhit metalik, ndërsa efektivët ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

U raportuan gjithashtu shoqërime të protestuesve dhe të rinj të lënduar. Vijimi i protestave dhe bojkotit e vendos qeverinë përballë presionit për t’iu përgjigjur shqetësimeve të studentëve dhe nxënësve.

Zhvillimet tregojnë se tensioni nuk u mbyll me ndërhyrjen brutale të policisë dhe se pakënaqësia e të rinjve vazhdon të kërkojë përgjigje konkrete. /tesheshi