Ballina Lajmet Kosovë Rihapja e kutive të 28 dhjetorit, rinumërohet gati gjysma e votave

Rihapja e kutive të 28 dhjetorit, rinumërohet gati gjysma e votave

Pothuajse gjysma e vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit janë rinumëruar tashmë, teksa procesi është përmbyllur në 11 komuna.

Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë rinumëruar 1 mijë e 240 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë, e që përkthyer në përqindje i bie 48.49 përqind e vendvotimeve.

KQZ pati paralajmëruar se i gjithë procesi pritet të marrë deri në 2 javë kohë.

Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.

Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.

Për pasojë, ditën e hënë, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej që në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.