Ballina Artikuj Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut 35 vite më parë, fund zyrtar...

Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut 35 vite më parë, fund zyrtar i ateizmit komunist dhe ngadhënjim i fjalës së Zotit

Bujar M. Hoxha

Sheshi “Skënderbej” mbante drejt fundit të shekullit të njëzetë dy objekte të kundërta: asnjëri nuk e duronte praninë e tjetrit, por do të bënin si do të bënin për pak kohë bashkë: njëri derëmbyllur por sfidues me vendosmërinë për të mos u mposhtur, e tjetri mbikëqyrës me arrogancën e sunduesit.

Shprehëse e dritës së të shenjtës, Xhamia e Et’hem Beut i bënte karshillëk shtatores së diktatorit, përçuese e errësirës dhe e diktatit nën të cilin rridhte gjak të pafajshmish.

Objekti i kultit i rezistoi kohës, mbeti aty si dëshmi se asgjë nuk mund ta shkulë e ta fshijë besimin në Zot. Diktatori i derdhur në bronz s’e pati jetën të gjatë në atë shesh ku do ia kishte ënda të qëndronte e të survejonte përjetë. Shkulja i mbërriti shpejt, shumë më herët se ç’mund t’i kishte shkuar çdokujt në mendje.

Beteja mes tyre kish nisur prej 1967-s, e vijuar në heshtje dhe me zë. Prej xhamisë sikur dëgjohej ajeti kur’anor se pas vështirësisë vjen lehtësimi, kurse djallit me mantel njeriu e udhëheqësi, herë të gjallë e herë të ngurtësuar, i dilnin fjalët pis të zeza: “Feja është opiumi i popullit. Duhet të bëjmë çmos që këtë të vërtetë të madhe ta kuptojë çdo njeri… Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit… A na lejohet neve … të rrimë e të mbajmë kot ramazan?”

E ardhmja i kishte rezervuar shenjës gjigante të ekzistencës së tij fizike dhe ideologjike një poshtërim shembullor përpara se ta rrëzonin e ta tërhiqnin zvarrë: kur Xhamia e Et’hem Beut rinisi të presë besimtarë në një ditë kur ata ishin me mijëra, më 18 janar të 1991-shit, vdekja do t’i jetë dukur kapak floriri diktatorit të kapitulluar pas vetëm 23 vitesh nga marrëzia e tij ateiste. Turpërimi mund të shihej fare mirë si hyjnor!

*

Vetëm pak muaj para se sheshi qendror i kryeqytetit të dëshmonte vërshimin e njerëzve në xhami, partia famëkeqe në pushtet kishte thirrur një miting për të shtrënguar radhët.

Hyrja e njerëzve në ambasada kishte tronditur sistemin, por jo aq sa lëkundjet sizmike të shkaktuara prej rënies së Murit të Berlinit dhe ekzekutimit të Nikolae dhe Elena Çausheskut në Rumani drejt mbarimit të vitit pararendës.

Ngjarjet e 1989-s dhe të mesit të 1990-s do të vrisnin frikën e popullit të shtypur, të varfëruar ekonomikisht e të zbrazur shpirtërisht.

Qyteti Studenti u bë pararoja e përmbysjes së madhe, ndodhinë e së cilës do ta lajmëronte përfundimisht 18 janari i vitit 1991! Thuajse një muaj para 20 shkurtit, Tirana dhe tërë vendi panë për herë të parë një masë të madhe njerëzish të derdheshin nğ sheshin “Skğnderbej” jo të dirigjuar nga pushteti, por nga etja për lirinë e shumëmunguar të besimit.

*

Hapi i parë u hodh me hapjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, ku u dynd i madh e i vogël. Vetëm dy muaj më pas radha i erdhi Xhamisë së Et’hem Beut. Ajo mizëri njerëzish atë ditë janari fliste me prani, tregonte rebelim, mosgjunjëzim, triumfim! Dhe sa domethënëse: në të njëjtën portë të rihapur të faltores së rinusësuar do të hidhte hapat me të mbërritur në Tiranë në qershorin e atij viti sekretari amerikan i Shtetit!

Besimtarët e kishin nisur organizimin shumë më parë, shtuar ditë pas dite e takim pas takimi. Faik Kasollja, Ibrahim Balla, Ramazan Rusheku, Xhavid Alimehmeti, Selim Stafa, Mehmet Sinella, dr. Shefqet Ndroqi, dr. Qazim Bakalli, Bardhyl Fico, e të tjerë, u angazhuan për marrjen e xhamisë. Detyra do t’u caktohej Islam Kadeshës, Ibrahim Ballës, Ramazan Rushekut dhe Iljaz Alimehmetit. Xhamia e Et’hem Beut u mor në dorëzim më 15 janar, dhe një ditë më pas u vendos nga komisioni provizor që më 18 janar të bëhej rihapja e veprimtarive fetare. Do të mbahej një fjalë nga Ibrahim Balla, do të drejtohej mevludi nga Ramazan Rusheku dhe do të falej namazi i xhumasë. Pakkush do ta ketë pritur megjithatë atë pjesëmarrje të paparë për kohën në një objekt kulti.

Gjithçka më tutje është histori e ringritjes së strukturës për drejtimin e jetës besimore. Komisioni i mbledhur në shtëpinë e dr. Shefqet Ndroqit vendosi të thërrasë Hafiz Sabri Koçin për të veshur petkun klerikal. Delegacionin e dërguar në Shkodër e përbënin Ramazan Rusheku, Bardhyl Fico dhe dr. Shefqet Ndroqi. Më 14 shkurt u mblodh Kuvend i Parë Islam, u miratuan statusi i Komunitetit Musliman dhe organet përkatëse të Komunitetit.

*

Allahu me mëshirën e Tij e shpërbleu durimin e besimtarëve; ata vuajtën pa u rrëzuar, duruan dhe e përjetuan përsëri lirinë e adhurimit pa frikë të Zotit Një! Një brez besimtarësh ngjallën trashëgiminë e të parëve, për t’ua lënë stafetë më të rinjve në ruajtjen dhe lulëzimin e besimit dhe të ummetit islam.

Pas tre dekadash e gjysmë, muslimanët e këtij vendi shtohen e nuk i zë më në bajrame sheshi, begatohen e bëhen shembull devotshmërie e qytetarie, zbukurojnë mjedisin me sjelljen e tyre dhe përçojnë vitalitet, ndërsa Xhamia e Et’hem Beut vazhdon të hijeshojë Tiranën, të presë adhurues e vizitorë, të mbetet identifikuese e triumfit të fjalës së Zotit dhe simbolizuese e muslimanëve shqiptarë.