1201 – Ebu Musa El-Esh’arij (r.a) ka thënë: “Hyra tek Profeti (a.s) dhe maja e misvakut ishte në gjuhën e tij.”[1]
1202 – Aishja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Misvaku është pastrim për gojën dhe kënaqësi për Zotin.”[2]
1203 – Ebu Hurerja (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Natyrshmëria apo pjesë e natyrshmërisë së njeriut janë pesë: rrethprerja (synetlliku), eliminimi i qimeve nga vendet intime, prerja e thonjve, shkulja (heqja) e qimeve të sqetullës dhe shkurtimi i mustaqeve.”[3]
1204 – Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dhjetë gjëra janë nga fitra e njeriut: shkurtimi i mustaqeve, lëshimi i mjekrës, përdorimi i misvakut, pastrimi i hundës, shkurtimi i thonjve, larja e llumit në shpinën e dorës dhe gishtave, shkulja e qimeve të sqetullave, rruarja e qimeve të organeve intime dhe pastrimi me ujë pas kryerjes së nevojës”. Musabi (njëri nga transmetuesit) thotë: “E kam harruar të dhjetën, por mendoj se është larja e gojës gjatë marrjes së abdesit.”[4]
1205 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lërini mjekrat!”[5]
KAPITULLI: “RËNDËSA E OBLIGIMIT TË DHËNIES SË ZEKATIT, VLERA E TIJ DHE ÇËSHTJET QË KANË LIDHJE ME ZEKATIN”
1206 – Ibn Omeri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla, Shehadeti, se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është i robi dhe Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.”[6]
1207 – Talha ibn Ubejdulla (r.a) ka thënë: “Një burrë nga Nexhdi me flokë të shpushpuritura erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s). Ne e dëgjonim zërin e tij lartë, por nuk po e kuptonim se çfarë po thonte, derisa u afrua pranë të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe ja ai po e pyeste atë rreth Islamit. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Falja e pesë namazeve gjatë ditës dhe natës (është obligim). Ai tha: Po përveç tyre? Ai tha: Jo, përveçse nëse dëshiron të falesh vullnetarisht. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Agjërimi i muajit të Ramazanit (është obligim). Ai tha: Po përveç tij? Ai tha: Jo, përveçse nëse dëshiron të agjërosh vullnetarisht. I Dërguari i Allahut (a.s) përmendi (obligimin) zekatin. Ai tha: Po përveç tij a kam obligim tjetër? Ai tha: jo, përveçse nëse dëshiron të japësh vullnetarisht. Burri u kthye duke thënë: Pasha Allahun nuk kam për të shtuar gjë prej këtyre, por edhe as nuk do të pakësoj. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Ai ka për të shpëtuar nëse e mban fjalën.”[7]
1208 – Muadhi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më dërgoi (në Jemen) dhe tha: “Vërtet, ti do të shkosh tek një popull që janë prej Ithrarëve të Librit (hebrenj dhe të krishterë). Ti thirri ata që të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguar i Allahut. Nëse ata të binden për këtë, atëherë njoftoji se Allahu u ka bërë obligim që të falen pesë herë për çdo ditë dhe natë. E nëse ata binden edhe ndaj kësaj, njoftoji se Allahu i ka obliguar ata që të japin sadaka (zekat), që ju merret të pasurve dhe i jepet të varfërve.”[8]
1209 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Nëse ata e bëjnë një gjë të tillë, atëherë unë u garantoj atyre gjakun dhe pasurinë, përveçse nëse ato të dyja u merren atyre me të drejtën ligjore sipas rregullave të Islamit dhe llogaria e tyre është tek Allahu i Lartësuar.”[9]
1210 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) ndërroi jetë, në vend të tij u vendos Ebu Bekri (r.a) dhe prej arabëve mohoi (fenë) ata që e mohuan. Omeri (r.a) i tha atij: Si do t’i luftosh njerëzit kur i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk zot tjetër përveç Allahut. Kushdo që e thotë atë, atëherë pasuria dhe nefsi i tij janë të mbrojtura prej meje, përveçse me të drejtë dhe llogaria e tij është te Allahu. Ebu Bekri tha: Pasha Allahun kam për ta luftuar çdokënd që bën dallim midis namazit dhe zekatit, sespe zekati është e drejta e pasurisë. Pasha Allahun, sikur të ndalonin (të më jepnin) edhe një litar, gjë të cilën ia kanë pasë dhënë të Dërguarit të Allahut (a.s), unë do t’i luftoja për shkak të ndalimit. Omeri (r.a) tha: Pasha Allahun, unë vura re se Allahu ia kishte çelur gjoksin Ebu Bekrit për luftë dhe e kuptova se ai ishte me të vërtetën.”[10]
1211 – Ebu Ejubi (r.a) transmeton se një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! Më trego për një punë, të cilën nëse e veproj është shkak që të hyj në Xhenet? Profeti (a.s) tha: “Adhuroje Allahun duke mos i shoqëruar askënd në adhurim, fale namazin, jepe zekatin dhe mbaji lidhjet farefisnore!”[11]
1212 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Një beduin erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Më trego për një vepër të mirë, që nëse e veproj do të hyj në Xhenet”! Ai tha: “Adhuroje Allahun duke mos i shoqëruar Atij asgjë në adhurim, fale namazin jepe zekatin që e ke obligim dhe agjëroje Ramazanin”! Beduini tha: “Betohem në emër të Atij, që shpriti im është në Dorën e Tij se do t’i kryej dhe nuk do të shtoj asgjë më shumë”. Kur ai u largua, Profeti (a.s) tha: “Kush dëshiron të shikojë një nga banorët e Xhenetit, le të shikojë këtë burrë.”[12]
1213 – Xherir ibn Abdullahu ka thënë: “I dhashë besën Profetit (a.s) që do të fal namazin do të jap zekatin dhe që do të këshilloj çdo musliman.”[13]
1214 – Ebu Hurejrah (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo pronar floriri dhe argjendi që nuk e jep Zekatin e tyre, në Ditën e Kijametit floriri dhe argjendi do të bëhet pllaka-pllaka. Këto pllaka do të jenë prej zjarri, do të skuqen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të hekurosen ijet, balli dhe kurrizi i tij. Sa herë që këto pllaka ftohen, do të nxehen përsëri. Ky dënim do të vazhdojë në atë Ditë, e cila zgjat 50 mijë vjet. Ky dënim do të vazhdojë, derisa të kryhet gjyqi hyjnor. Më pas do të shikohet përfundimi i tij, ose në Xhenet ose në Zjarr”. Dikush tha: “O i Dërguari i Allahut! Po për devetë (a ka dënim)”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Çdo pronar devesh, që nuk e jep zekatin e tyre – dhe nga e drejta e tyre është mjelja kur lindin – në Ditën e Kijametit ajo do të jetë në një vend bashkë me pjellën e saj, ku askush nuk mund t`i shpëtojë. Ajo e shtyp pronarin e saj me thundra dhe e kafshon me dhëmbë. Ky dënim do të vazhdojë në atë Ditë, e cila zgjat 50 mijë vjet. Ky dënim do të vazhdojë, derisa të kryhet gjyqi hyjnor, më pas do të shikohet përfundimi i tij, ose në Xhenet ose në Zjarr”. Dikush tha: “O i Dërguari i Allahut! Po për lopët dhe delet”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Çdo pronar lopësh dhe bagëtish të imëta, që nuk e jep zekatin e tyre, në Ditën e Kijametit ato do të jenë në një vend bashkë me të vegjlit e tyre, ku askush nuk mund t`iu shpëtojë. Të gjitha këto bagëti, ato me brirë dhe ato që janë shyta, të sëmura dhe të shëndosha, do ta vrasin me brirë dhe do ta shtypin me thundra pronarin e tyre. Ky dënim do të vazhdojë në atë Ditë, e cila zgjat 50 mijë vjet. Ky dënim do të vazhdojë, derisa të kryhet gjyqi Hyjnor. Më pas do të shikohet përfundimi i tij, ose në Xhenet ose në Zjarr”. Dikush tjetër tha: “O i Dërguari i Allahut! Po për kuajt”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kuajt janë tre llojesh; për dikë janë (shkak për) mëkat, për dikë janë (shkak për) mbulim dhe për dikë janë (shkak për) shpërblim. 1- Kuajt janë mëkat, kur mbahen për dukje, madhështi dhe për të penguar muslimanët.2- Kuajt janë mburojë për atë, që i mban për në rrugën e Allahut. Ai nuk e harron të drejtën e Allahut dhe i zbukuron për luftë. Këta kuaj janë mburojë për të. 3) Kuajt, të cilët dikush i mban për në rrugë të Allahut dhe i vë në shërbim të Islamit, duke i lënë nëpër kullota dhe bjeshkë. Ky njeri shpërblehet me të mira për çdo fije bari që kali ha në këto kullota dhe bjeshkë, madje pronari i kalit do të shpërblehet edhe për çdo hap që hedh, për urinën, për bajgat dhe për çdo gjë që kali nxjerr nga trupi. Sa herë që pronari kalon me kalin e tij pranë lumenjve dhe kali pi ujë, pronari do të shpërblehet për çdo pikë uji”. Dikush e pyeti: “Po për gomerët?” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nuk më ka zbritur ndonjë ajet specifik për gomerët, por është një ajet i veçantë dhe gjithëpërfshirës: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë[14].”[15]
KAPITULLI: “RËNDËSIA E OBLGIMIT TË AGJËRIMIT TË RAMAZANIT, VLERA E MADHE E AGJËRIMIT DHE ÇËSHTJET QË KANË LIDHJE ME TË”
1215 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Të gjitha punët që bën njeriu, i bën për veten e tij përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe vetëm Unë jam Ai që e shpërblen. Agjërimi është mburojë. Kur të agjëroni mos shani dhe mos bërtisni. Nëse dikush të shan apo të ngacmon, thuaji: “Unë jam agjërueshëm”. Pasha Atë, në Duart e të Cilit është Shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel Iftarin gëzohet me ushqimin dhe kur të takohet me Allahun, do të gëzohet me agjërimin e tij.”[16]
Në një transmetim tjetër qëndron: Profeti (a.s) tregon: “Allahu (xh.sh) ka thënë: “Ai lë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet bashkëshortore për Mua, agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë e shpërblej atë. E mira shpërblehet dhjetë fish.” [17]
1216 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që dhuron nga dy gjëra (nga e njëjta pasuri) në rrugë të Allahut, do të thirret nga portat e Xhenetit: “O rob i Allahut, kjo është mirësi. Kush është falur do të thirret nga porta e Namazit. Kush ka luftuar në rrugë të Allahut do të thirret nga porta e Xhihadit. Kush ka agjëruar do të thirret nga porta e Rejanit dhe kush ka bërë bamirësi do të thirret nga porta e Bamirësisë”. Ebu Bekri tha: “O i Dërguar i Allahut! Për ty bëfsha kurban babanë dhe nënën time! Asnjë e keqe dhe asnjë ngushtësi nuk do t’i bjerë atij që do të thirret nga një prej atyre porta. A do të ketë ndonjë që do të thirret nga të gjitha portat”? Ai tha: “Po! Unë shpresoj se ti je njëri prej atyre që do të thirren nga të gjitha portat”.”[18]
1217 – Sehl ibn Sad (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në Xhenet është një derë, që quhet Rejan. Në atë derë hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër. Pasi agjëruesit të hyjnë aty, ajo derë mbyllet përgjithmonë.”[19]
1218 – Ebu Said Hudriu (r.a) tregon se i Dërguar i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu ka për t’ia larguar fytyrën agjëruesit nga Zjarri për shtatëdhjet vjet.”[20]
1219 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[21]
1220 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur hyn muaji i Ramazanit, hapen portat e Xhenetit, mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen shejtanët.”[22]
1221 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Agjëroni kur të shikoni hënën e tij (Ramazanit) dhe mbarojeni agjërimin, kur të shikoni hënën tjetër (Sheualit). Nëse hëna nuk shikohet për shkak kohës së vrenjtur, plotësoni muajin Shaban me 30 ditë.”[23]
Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “E nësa hëna ju mbulohet (dhe ju nuk e shikoni) atëherë agjëroni tridhjetë ditë”
Kapitulli: mbi bujarinë, bërjen e së mirës dhe shtimin e veprave të mira në muajin e Ramazanit, veçanërisht në dhjetë netët e fundit të tij.
1222 – Ibn Abasi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka qenë shumë bujar, por ai bëhej edhe më bujar në muajin e Ramazanit kur takohej me Xhibrilin. Xhibrili e takonte atë për çdo natë në Ramazan dhe ia mësonte atij Kuranin. Me të vërtetë, kur i Dërguari i Allahut (a.s) takohej me Xhibrilin ishte më bujar në kryerjen e veprave të mira sesa era që sjell shiun.”[24]
1223 – Aishja (r.a) ka thënë: “Kur hynin dhjetë ditët (netët e fundit të Ramazanit), i Dërguari i Allahut (a.s) e gjallëronte natën (me adhurim), i zgjonte familjarët e tij dhe e shtrëngonte rrobën e mesit.”[25]
Kapitulli mbi ndalimin e paraprirjes së Ramazanit me agjërim pas gjysmës së muajit Sha‘ban, përveç atij që e lidh atë me agjërimin e mëparshëm, ose kur kjo përkon me një zakon të tij, si p.sh. kur e ka zakon të agjërojë të hënën dhe të enjten dhe kjo ditë përkon me to.
1224 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Mos e prisni Ramazanin duke agjëruar një apo dy ditë para tij, përveç atij personi që ka agjëruar (nafile) rregullisht (të hënën dhe të enjten, ose tre ditë për çdo muaj), ai le të agjërojë.”[26]
1225 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos agjëroni para Ramazanit, agjëroni kur të shihni (hënën) dhe ndërpriteni agjërimin kur ta shihni atë. E nëse ndërmjet jush dhe saj pengohet shikimi nga ndonjë gjë që e mbulon, atëherë plotësoni agjërimin tridhjetë ditë!”[27]
1226 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur nga muaji Shaban të ketë ngelur gjysma, mos agjëroni!”[28]
1227 – Ebu Jekadhan, Ammar ibn Jasir (r.a) ka thënë: “Kush agjëron në ditën e cila është e dyshimtë, atëherë ai ka kundërshtuar Ebu Kasimin (Muhamedin)”[29]
Kapitulli: “Çfarë duhet thënë kur të shikosh hënën e re”
1228 – Talha ibn Ubejdullahu (r.a) tregon: “Kur Profeti (a.s) shikonte hënën e re thoshte: “O Zot! Na e sill këtë muaj me siguri dhe besim, me paqe dhe nënshtrim ndaj Teje. Zoti im dhe Zoti yt është Allahu. Qofsh një hënë udhëzuese dhe e mbarë.”[30]
Kapitulli: “Mbi vlerën e syfyrit dhe shtyrjen e tij, përderisa nuk kihet frikë nga lindja e agimit”
1229 – Enesi (r.a) tregon se Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Hani syfyr sepse syfyri është bereqet!”[31]
1230 – Zejd ibn Thabiti (r.a) ka thënë: “Hëngrëm syfyr së bashku me të Dërguarin (a.s), pastaj u çuam për të falë namazin. Dikush pyeti: Sa ishte distanca kohore midis atyre të dyjave. Ai tha: Sa me lexuar pesëdhjetë ajete.”[32]
1231 – Ibn Omer (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) kishte dy muezinë: Bilalin dhe Ibn Ummu Mektumin. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Bilali e thërret ezanin natën, gjatë kësaj kohe hani dhe pini derisa Ibn Ummu Mektumi të thërrasë ezanin. Ai (transmetuesi i hadithit) tha: Distanca kohore midis atyre të dyve (ezaneve) ishte aq sa njëri zbriste dhe tjetri ngjitej.”[33]
1232 – Amër ibn El As (r.a) transemton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dallimi midis agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit është ngrënia e syfyrit.”[34]
Kapitulli: Mbi vlerën e shpejtimit të çeljes së iftarit, çfarë konsumohet në çeljen e iftarit dhe çfarë thuhet pas iftarit
1233 – Sehl ibn Sa’di (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njerëzit do të kenë parreshtur mirësi përderisa nxitojnë ta çelin iftarin sa më shpejt.”[35]
1234 – Ebu Atije ka thënë: Hyra unë dhe Mesruku tek Aishja (r.a). Mesruku i tha asaj: “Dy burra nga shokët e Muhamedit (a.s), të dy nuk kursejnë asgjë në të mirë: njëri e shpejton namazin e akshamit dhe iftarin, ndërsa tjetri e vonon akshamin dhe iftarin? Ajo tha: Cili prej tyre e shpejton akshamin dhe iftarin? Ai tha: Abdullahu – duke pasur për qëllim Ibn Mes‘udin – Ajo tha: Kështu ka pasë vepruar i Dërguari i Allahut (a.s).”[36]
1235 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: Robi im më i dashur është ai që e çel iftarin sa më shpejt.”[37]
1236 – Omer ibn Hatabi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të bjerë nata në këtë anë, të largohet dita nga kjo anë dhe të perëndojë dielli, atëherë agjëruesi e ka çelur agjërimin.”[38]
1237 – Ebu Ibrahim, Abdullah ibn ebu Eufa (r.a) ka thënë: “Ne udhëtuam bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s), ndërkohë që ai ishte agjërueshëm. Kur perëndoi dielli, ai i tha njërit prej njerëzve: O filan, zbrit dhe përzieje për ne (pijen). Ai tha: O i Dërguar i Allahut, sikur të prisje edhe pak derisa të bëhej mbrëmje? Ai tha: Zbrit dhe përzieje për ne. Ai tha: Ende ka dritë dite mbi ty. Ai tha: Zbrit dhe përzieje për ne. Ai tha: Ai zbriti dhe e përzeu, dhe i Dërguari i Allahut (a.s) piu. Pastaj tha: Kur ta shihni natën se ka ardhur nga kjo anë, atëherë agjëruesi e ka çelur agjërimin. Dhe bëri shenjë me dorën e tij nga ana e lindjes.”[39]
1238 – Selman ibn Amir Ed Dabbijju (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Kur dikush prej jush dëshiron të çelë iftarin le ta çelë duke ngrënë hurma (arabe), nëse nuk gjen (hurma) atëherë le ta çelë duke pirë ujë , sepse ai është pastërti.”[40]
1239 – Enesi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ka pasë çelur iftarin para se të falej duke ngrënë hurma të njoma, nëse nuk kishte hurma të njoma e çelte me hurma të thata dhe nëse nuk kishte as hurma të thata, atëherë e çelte duke pirë ndonjë gllënjkë me ujë.”[41]
Kapitulli: mbi urdhrin që agjëruesi ta ruajë gjuhën dhe gjymtyrët e tij nga shkeljet, fyerjet dhe të ngjashme me to.
1240 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të agjëroni mos shani dhe mos bërtisni. Nëse dikush të shan apo të ngacmon, thuaji: “Unë jam agjërueshëm.”[42]
1241 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush nuk e lë fjalën e rrejshme dhe punën me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta mbajë barkun bosh.”[43]
Kapitulli: Çështje të agjërimit
1242 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush harron dhe ha (apo pi), duke qenë agjërueshëm, të mos e ndërpresë agjërimin e tij, pasi Allahu e ka gostisur atë me ushqim dhe pije.”[44]
1243 – Lekit ibn Sabre (r.a) ka thënë: Unë thashë: O i Dërguar i Allahut! Më trego rreth abdesit! Ai tha: “Merre abdesin në formën më të plotë, laji gishtërinjtë duke i fërkuar midis tyre, dhe shpëlaje gojën sa më shumë, përveçse nëse je agjërueshëm.”[45]
1244 – Aishja (r.a) ka thënë: “Të Dërguarin e Zotit (a.s) e kapte agimi duke qenë xhunub për shkak se kishte kryer marrdhënie intime me familjen. Më pas ai (a.s) merrte gusul dhe (vazhdonte agjërimin).”[46]
1245 – Aishja (r.a) dhe Ummu Seleme (r.a) kanë thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë gdhirë xhunub, jo për shkak se kishte parë ndonjë ëndër (gjatë natës) dhe pastaj vazhdonte agjërimin.”[47]
Kapitulli: Sqarimi i vlerës së agjërimit në muajin Muharem, Shaban dhe muajt e shenjtë
1246 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut, muajit Muharrem. Namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i natës.”[48]
1247 – Aishja (r.a) ka thënë: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut të agjërojë në ndonjë muaj më shumë sesa në muajin Shaban. Ai e agjëronte të gjithë muajin Shaban”[49]
Në një transmetim tjetër tregohet se Aishja (r.a) ka thënë: “Ai linte shumë pak ditë pa agjëruar nga muaji Shaban, madje ai e agjëronte të gjithë muajin Shaban.”
1248 – Muxhibete El-Bahilije transmeton nga babai apo xhaxhai i saj se: “ai erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s), pastaj u largua dhe erdhi përsëri tek ai pas një viti, ndërkohë që gjendja dhe pamja e tij kishin ndryshuar. Ai tha: O i Dërguar i Allahut, a nuk më njeh? Ai tha: Kush je ti? Ai tha: Unë jam El-Bahiliu që të erdha vitin e kaluar. Ai tha: Çfarë të ka ndryshuar, ndërkohë që ishe me pamje të bukur? Ai tha: Që nga koha kur u ndava prej teje, nuk kam ngrënë ushqim veçse natën. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: E ke torturuar veten tënde. Pastaj tha: Agjëro muajin e durimit dhe një ditë nga çdo muaj. Ai tha: Ma shto, sepse kam fuqi. Ai tha: Agjëro dy ditë. Ai tha: Ma shto. Ai tha: Agjëro tri ditë. Ai tha: Ma shto. Ai tha: Agjëro nga muajt e shenjtë dhe lëre; agjëro nga muajt e shenjtë dhe lëre; agjëro nga muajt e shenjtë dhe lëre. Ai e tha këtë duke treguar me tre gishtat e tij, i bashkoi, pastaj i hapi.”[50]
Kapitulli: Vlera e agjërimit dhe punëve të tjera të mira në dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixheh
1249 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat vepra e mirë të jetë më e dashur tek Allahu sesa në këto ditë” domethënë: ditët e dhjetëditëshit (të para). Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut, as xhihadi në rrugën e Allahut?” Ai tha: “As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç një njeriu që del fizikisht dhe me pasurinë e tij dhe nuk u kthehet prej kësaj me asgjë.”[51]
Kapitulli: Vlera e agjërimit të Ditës së Arafatit, Ashurasë dhe të ditës së nëntë (para Ashurasë)
1250 – Ebu Katade (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur rreth agjërimit në Ditën e Arafatit. Ai është përgjigjur: “Ai shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që vjen.”[52]
1251 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se “i Dërguari i Allahut (a.s) ka agjëruar në Ditën e Ashurasë dhe ka urdhëruar për agjërimin e asaj (dite).”[53]
1252 – Ebu Katade (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur rreth agjërimit të Ditës së Ashurasë. Ai ka thënë: “Ai shlyen mëkatet e vitit të kaluar.”[54]
1253 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse do të jem gjallë vitin tjetër do të agjëroj ditën e nëntë (të muajit Muharrem)”[55]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e agjërimit të gjashtë ditëve nga muaji Sheval
1254 – Ebu Ejubi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin dhe e përcjell me agjërimin e gjashtë ditëve nga Shevali, ai ka agjëruar të gjithë vitin.”[56]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e agjërimit të ditës së Hënë dhe të Enjte
1255 – Ebu Katade (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur rreth agjërimit të ditës së Hënë. Ai ka thënë: “Ajo është dita në cilën kam lindur dhe dita që jam dërguar si profet, ose dita në të cilën më është shpallur.”[57]
1256 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Veprat prezantohen ditën e Hënë dhe të Enjte, kështu që unë dua që vepra ime të prezantohet duke qenë agjërueshëm.”[58]
1257 – Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) i ka pasë kushtuar kujdes të veçantë agjërimit të ditës së Hënë dhe të Enjte.”[59]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e agjërimit të tre ditëve për çdo muaj
Më e mira është agjërimi i tyre në ditët e bardha. Ato janë dita e trembëdhjetë, e katërmbëdhjetë dhe e pesëmbëdhjetë (e muajit hënor). Është thënë edhe: dita e dymbëdhjetë, e trembëdhjetë dhe e katërmbëdhjetë, por mendimi i saktë dhe i njohur është i pari.
1258 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë:“Miku im i dashur dhe i shtrenjtë (a.s) më ka këshilluar me tre gjëra: të agjëroj tre ditë për çdo muaj, të fal dy rekate namaz Duhaje dhe të fal namazin e vitrit para se të bie në gjumë.”[60]
1259 – Ebu Darda (r.a) ka thënë: “Miku im i dashur (a.s) më ka këshilluar me tre gjëra që mos t’i lë (asnjëherë) përdersia jam gjallë: të agjëroj tre ditë për çdo muaj, të fal namazin e Duhasë dhe të mos bie në gjumë pa e falur namazin e vitrit.”[61]
1260 – Amër ibn Abdullah ibn Asi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Të agjërosh tre ditë për çdo muaj, është sikur ke agjëruar gjatë gjithë kohës.”[62]
1261 – Muadhete el Adeuije e pyeti Aishen (r.a): “A ka pasë agjëruar i Dërguari i Allahut tre ditë për çdo muaj? Ajo tha: po. Unë (Muadhete) thashë: Në cilët ditë të muajit ka pasë agjëruar? Ajo tha: Ai (a.s) nuk i ka pasë kushtuar rëndësi se në cilët ditë të muajit ka pasë agjëruar.”[63]
1262 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse dëshiron të agjërosh tre ditë në muaj, atëherë agjëro ditën e trembëdhjetë (të kalendarit hënor), të katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë.”[64]
1263 – Katade ibn Milhani (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut na ka pasë urdhëruar që të agjërojmë ditët e bardha; ditën e trembëdhjetë, të katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë.”[65]
1264 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut nuk i ka pasë lënë pa agjëruar ditët e bardha sikur ishte rezident apo në udhëtim.”[66]
Kapitulli mbi vlerën e atij që i jep iftar një agjëruesi, vlerën e agjëruesit tek i cili hahet dhe lutjen e atij që ha për personin tek i cili është ushqyer.
1265 – Zejd ibn Halid Xhuheniju (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush i jep një iftar ose syfyr një agjëruesi, do të ketë shpërblimin e atij agjëruesi, por atij nuk i pakësohet asgjë nga shpërblimi që merr nga agjërimi.”[67]
1266 – Ummu Ammare el Ensarije transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) hyri tek ajo (shtëpia e saj) dhe ajo i ofroi atij ushqim. Ai i tha (asaj): Ha! Ajo tha: Unë jam agjërueshëm. Ai tha: Vërtet, engjëjt luten për agjëruesin kur (në shtëpinë) e tij hahet ushqimi i tij derisa (ata që po hanë) ta mbarojnë atë. Ose ai tha: derisa të ngopen.”[68]
1267 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) erdhi tek (shtëpia) Sa’d ibn Ubade (r.a). Ai solli bukë dhe vaj dhe hëngri. Më pas, Profeti (a.s) tha: “Agjëruesit e çelën iftarin tek ju, ushqimin tuaj e hëngrën të devotshmit dhe engjëjt kanë bërë dua për ju.”[69]
Libri i Itikafit
Kapitulli: Vlera e Itikafit
1268 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë bërë itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit”[70]
1269 – Aishja (r.a) tregon: “Profeti (a.s) ka bërë itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit derisa ndërroi jetë. Pas vdekjes së tij, ne gratë e tij kemi bërë itikaf (si ai).”[71]
1270 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) ka pasë bërë dhjetë ditë itikaf për çdo Ramazan, kurse në vitin në të cilin ndërroi jetë bëri itikaf njëzet ditë.”[72]
Libri i Haxhit
Kapitulli: Obligimi i haxhit dhe vlerat e tij
1271 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e Zekatit, kryerja e Haxhit në shtëpinë e shenjtë (Qabe) dhe agjërimi i Ramazanit.”[73]
1272 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) na mbajti një fjalim dhe na tha: “O ju njerëz! Vërtet Allahu e ka bërë obligim haxhin për ju, prandaj bëjeni haxhin”! Një burrë tha: “O i Dërguar i Allahut! A është detyrë për çdo vit?”! I Dërguari i Allahut (a.s) heshti, mirëpo burri e përsëriti pytjen tre herë. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nëse do të thoja po, atëherë haxhi do t’u bëhej obligim për çdo vit, mirëpo ju këtë nuk do të mund ta përballoni”. Pastaj ai tha: “Mjaftohuni vetëm me atë që u kam lënë juve, sepse ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjve të shumta dhe kundërshtimeve që kanë patur ndaj profetëve të tyre. Kur ju urdhëroj për një gjë, kryejeni atë sa të mundeni dhe kur t`iu ndaloj për diçka, largohuni prej saj.”[74]
1273 – Ebu Hurejra tregon se dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cila është puna më e mirë”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Besimin në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij”. Personi e pyeti përsëri: “Po pas kësaj”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut”. Ai pyeti përsëri: “Po pas kësaj? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Haxhi i pranuar (i mirëkryer, i kryer siç duhet).”[75]
1274 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) se ka thënë: “Kushdo që bën Haxhin, duke mos iu nënshtruar joshjeve seksuale dhe duke u larguar nga shkaqet që nxisin për sjellje të ulta, do të jetë i pastër nga mëkatet sikur ditën që e ka lindur nëna.”[76]
1275 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Umra e kryer deri në Umren tjetër është shkak për faljen e mëkateve mes kësaj periudhe, ndërsa Haxhi i i pranuar ka si shpërblim vetëm Xhenetin.”[77]
1276 – Aishja (r.a) tregon: “I thashë Profetit (a.s): “O i Dërguar i Allahut! Ne e konsiderojmë xhihadin si punën më të mirë. Përse të mos bëjmë xhihad edhe ne”?! Ai (a.s) tha: “Dijeni se xhihadi më i mirë është haxhi i pranuar.”[78]
1277 – Aishja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk mund të gjesh ndonjë ditë tjetër, në të cilën të ketë të shpëtuar prej zjarrit nga Allahu më shumë sesa në ditën e Arafatit.”[79]
1278 – Ibn Abasi (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Umra e kryer në Ramazan është e barabartë (në shpërblime) me një Haxh.”[80]
Në një transmetim qëndron se Profeti (a.s) ka thënë: “Ktheja selamin nga unë dhe tregoi, se nëse bën Umren në Ramazan, është sikur ka bërë Haxhin me mua.”[81]
1279 – Ibn Abasi (r.a) tregon se një grua tha: “O i Dërguar i Allahut! Obligimi i Allahut ndaj robërve të Tij për kryerjen e haxhit e ka gjetur babanë tim plak shumë të moshuar, i cili nuk mund të qëndrojë mbi kafshën e udhëtimit. A ta kryej unë haxhin për të? Ai (a.s) tha: Po.”[82]
1280 – Lekit ibn Amir (r.a) tregon: “Shkova tek Profeti (a.s) dhe i thashë: “Babai im është plak dhe nuk ka mundësi ta kryejë haxhin apo umren, sepse nuk mund të përballojë udhëtimin për kryrjen e tyre”. Profeti (a.s) më tha:“Bëje ti Haxhin, ose Umren në vend të babait tënd!”[83]
1281 – Saib ibn Jezidi (r.a) ka thënë: “Më morën në haxh mua së bashku me të Dërguarin e Allahut në haxhin e lamtumirës, asokohe unë isha shtatë vjeç.”[84]
1282 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) takoi një grup udhëtarësh nga Reuha. Ai tha: Kush jeni ju? Ata thanë: Muslimanë. Ata thanë: Po ti kush je? Ai tha: Unë jam i Dërguari i Allahut. Një grua ngriti foshnjen dhe tha: A ka haxh për këtë. Ai tha: Po dhe ti do të shpërblehesh.”[85]
1283 – Enesi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) e kreu haxhin hipur mbi një kafshë (deve), e cila ishte edhe kafshë udhëtimi (që mbarte plaçkat).”[86]
1284 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë:“Ukadhe, Mixhene dhe Dhul Mexhazi ka qenë tregje në periudhën e Xhahilijes. (Disa sahabë) e panë si gjynah që të bënin tregti në kohën e sezoneve. Më pas u shpall ajeti: “Nuk ka gjynah për ju që të kërkoni nga begatitë e Zotit tuaj.”[87] Në lidhje me sezonet e haxhit.”[88]
Libri i Xhihadit
KAPITULLI: “VLERA E XHIHADIT”
1285 – Ebu Hurejra tregon se dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cila është puna më e mirë”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Besimin në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij”. Personi e pyeti përsëri: “Po pas kësaj”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut”. Ai pyeti përsëri: “Po pas kësaj? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Haxhi i pranuar (i mirëkryer, i kryer siç duhet).”[89]
1286 – Ibn Mes’udi (r.a) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cila është puna më e dashur tek Allahu (xh.sh)”? Ai (a.s) mu përgjigj: “Namazi i falur në kohën e vet”. Unë pyeta: “Po pas kësaj”? Ai (a.s) më tha: “Sjellja e mirë me prindërit”. Unë e pyeta: “Po më pas”? Ai (a.s) më tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut.”[90]
1287 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: Unë thashë: “O i Dërguar i Allahut! Cila është puna më e mirë? Ai tha: Besimi tek Allahu dhe xhihadi në rrugë të Tij.”[91]
1288 – Enesi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Një rrugë vajtje në rrugë të Allahut ose një rrugë kthimi, është më me vlerë sesa Dunjaja me çfarë ka brenda.”[92]
1289 – Ebu Said Hudriu (r.a) tregon: “Një person erdhi dhe e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cili është njeriu më i mirë”? Profeti (a.s) tha: “Besimtari që përpiqet (lufton) në rrugë të Allahut me jetën dhe pasurinë e tij”. Më pas, personi pyeti: “Po pas tij”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Një besimtar që jeton në një luginë, duke adhuruar Allahun dhe njerëzve nuk u sjell asnjë të keqe (ai izolohet nga frika se mos u bën dëm njerëzve).”[93]
1290 – Sehl ibn Sa’di (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Qëndrimi një ditë në llogore në rrugë të Allahut, është më me vlerë sesa dunjaja me çfarë ka brenda. Vendi që zë kamxhiku i ndonjërit prej jush në Xhenet, është më me vlerë sesa dunjaja me çfarë ka brenda. Një rrugë vajte në rrugë të Allahut ose një rrugë kthimi, është më me vlerë sesa dunjaja me çfarë ka brenda.”[94]
1291 – Selmani (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) se ka thënë:“Qëndrimi një natë ose një ditë në llogore në rrugë të Allahut, është më me vlerë sesa agjërimi i një muaji dhe falja gjatë gjithë këtij muaji. Nëse dikush që është në llogore vdes, i vazhdon shpërblimi i punës që po bënte (pra qëndrimi në llogore), furnizohet aty ku është dhe garantohet nga sprova (e varrit dhe e zjarrit).”[95]
1292 – Fadalete ibn Ubejd (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo të vdekuri i vuloset puna e tij përveç atij që është në llogore (ribat) në rrugë të Allahut. Puna e tij shtohet deri në Ditën e Kiametit dhe ai është i sigurtë nga sprova e varrit.”[96]
1293 – Othmani (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Qëndrimi një ditë në llogore në rrugë të Allahut është më i mirë se qëndrimi një mijë ditë nëpër shtëpia.”[97]
1294 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu ka marrë përsipër (ka garantuar) për atë që del në rrugën e Tij – duke mos e nxjerrë atë veçse xhihadi në rrugën Time, besimi në Mua dhe vërtetimi i të dërguarve të Mi – se Ai do ta fusë në Xhenet, ose do ta kthejë në shtëpinë nga e cila ka dalë me atë që ka fituar prej shpërblimit ose plaçkës së luftës. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, nuk ka asnjë plagë që i shkaktohet dikujt në rrugën e Allahut, veçse do të vijë Ditën e Kiametit ashtu siç ishte ditën kur u plagos: ngjyra e saj do të jetë ngjyra e gjakut, ndërsa era e saj do të jetë era e miskut. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, po të mos ishte se do t’u shkaktoja vështirësi myslimanëve, nuk do të qëndroja kurrë pas asnjë ekspedite ushtarake që del në rrugën e Allahut; por unë nuk gjej mundësi t’i pajis të gjithë, as ata nuk gjejnë mundësi, dhe u vjen rëndë të mbesin pas meje. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, do të doja të luftoja në rrugën e Allahut e të vritesha, pastaj të luftoja përsëri e të vritesha, pastaj të luftoja përsëri e të vritesha.”[98]
1295 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka asnjë të plagosur që plagoset në rrugën e Allahut, veçse do të vijë Ditën e Kiametit, me plagën e tij që do të rrjedhë gjak: ngjyra e saj do të jetë ngjyra e gjakut, ndërsa era e saj do të jetë era e miskut.”[99]
1296 – Muadh ibn Xhebeli (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush lufton një moment (sa koha mes dy meljeve të një deveje) në rrugë të Allahut, nuk ka dyshim se e ka të merituar Xhenetin. Kush kërkon me gjithë shpirt që të bjerë dëshmor e më pas vdes apo vritet, do të marrë shpërblimin e shehidit. Kush plagoset sadopak në rrugë të Allahut, apo i bie ndonjë fatkeqësi (plagosje, këputje gjymtyrësh), në ditën e Kijametit do të vijnë plagët e tij duke rrjedhur gjak fuqishëm, por gjaku do të ketë aromën e miskut.”[100]
1297 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Një burrë prej shokëve të të Dërguarit të Allahut (r.a) kaloi nëpër një grykë (luginë) ku gjendej një burim uji të ëmbël, dhe ajo i pëlqeu shumë. Ai tha: Sikur të tërhiqesha nga njerëzit dhe të qëndroja në këtë grykë… por nuk do ta bëj derisa të kërkoj leje nga i Dërguari i Allahut (a.s)
Ai ia përmendi këtë të Dërguarit të Allahut (a.s), e ai tha: Mos e bëj këtë, sepse qëndrimi i ndonjërit prej jush në rrugën e Allahut është më i mirë se namazi që ai e fal në shtëpinë e vet për shtatëdhjetë vjet. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë dhe t’ju fusë në Xhenet? Luftoni në rrugën e Allahut; kush lufton në rrugën e Allahut qoftë edhe për aq sa zgjat mjelja e një deveje, atij i bëhet i detyrueshëm Xheneti.”[101]
1298 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Dikush e pyeti Profetin (a.s): “O i Dërguari i Allahut! Cila vepër është e barabartë me xhihadin në rrugë të Allahut”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ju nuk mund ta bëni atë vepër”. Personi e pyeti përsëri dy apo tre herë dhe Profeti (a.s) i thoshte: “Ju nuk mund ta bëni atë vepër”. Më pas tha: “Shembulli i luftëtarit në rrugë të Allahut, është sikur shembulli i atij që agjëron çdo ditë, falet natën duke qenë i përkushtuar kur lexon ajetet e Allahut. Falet dhe agjëron pa ndërprerje, derisa luftëtari të kthehet nga rruga e Allahut.”[102]
1299 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njeriu me jetën më të mirë është një person, i cili qëndron në rrugë të Allahut, ka kapur kalin e tij për freri dhe fluturon mbi shpinën e tij, sa herë që dëgjon ndonjë klithmë apo ndonjë piskamë (për ndihmë). Ai është në llogore të luftës dhe vdekja është bashkëshoqëruesja e tij. Pas tij vjen një person, i cili ruan kopenë e bagëtive në majë të maleve, apo në një prej luginave. Ai e fal namazin, e jep Zekatin dhe adhuron Zotin e tij, derisa t`i vijë vdekja. Nuk ka gjë tjetër të mirë për njerëzit, përveç këtyre dy mirësive.”[103]
1300 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Xheneti ka njëqind shkallë. Allahu i ka përgatitur të gjitha këto për luftëtarët në rrugë të Allahut. Distanca e një shkalle nga tjetra është sa distanca mes qiellit dhe tokës.”[104]
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Buhariu (244) dhe Muslimi (254) me tekstin në fjalë.
[2] – Nesaiu (5), Ibn Huzejme (135) dhe të tjerë. Hadithi është Sahih.
[3] – Buhariu (5889) dhe Muslimi (257).
[4] – Muslimi (261).
[5] – Buhariu (5893) dhe Muslimi (259) me tekstin në fjalë.
[6] – Buhariu (8) dhe Muslimi (16) me tekstin në fjalë.
[7] – Buhariu (2678) dhe Muslimi (11).
[8] – Buhariu (1496) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (19).
[9] – Buhariu (25) dhe Muslimi (22).
[10] – Buhariu (7284) dhe Muslimi (20).
[11] – Buhariu (5983) dhe Muslimi (13).
[12] – Buhariu (1397) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (14).
[13] – Buhariu (2157) dhe Muslimi (56) me pak ndryshim.
[14] – Sure Zelzele: 7-8.
[15] – Buhariu (1402) dhe Muslimi (987) me tekstin në fjalë.
[16] – Buhariu (1904) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1151).
[17] – Buhariu (7492) dhe Muslimi (1151).
[18] – Buhariu (1897) dhe Muslimi (1027).
[19] – Buhariu (1896) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1152).
[20] – Buhariu (2840) dhe Muslmi (1153) me tekstin në fjalë.
[21] – Buhariu (38) dhe Muslimi (760).
[22] – Buhariu (1899) dhe Muslimi (1079) me tekstin në fjalë.
[23] – Buhariu (1909) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1081).
[24] – Buhariu (2220) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2307).
[25] – Buhariu (2024) dhe Muslimi (1174).
[26] – Buhariu (1914) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1082).
[27] – Ebu Daudi (2327),Tirmidhiu (668), etj. Hadithi është Hasen Sahih.
[28] – Ebu Daudi (2337) dhe Tirmidhiu (738), etj. Hadithi është Sahih.
[29] – Ebu Daudi (3334),Tirmidhiu (686), etj. Hadithi është Hasen me dëshmitë përforcuese
[30] – Tirmidhiu (3451). Hadithi është Hasen.
[31] – Buhariu (1923) dhe Muslimi (1095).
[32] – Buhariu (575) dhe Muslimi (1097).
[33] – Buhariu (617) dhe Muslimi (1092).
[34] – Muslimi (1096).
[35] – Buhariu (1957) dhe Muslimi (1098).
[36] – Muslimi (1099).
[37] – Tirimidhiu (700). Hadithi është Hasen.
[38] – Buhariu (1954) dhe Muslimi (1100).
[39] – Buhariu (1955) dhe Muslimi (1101).
[40] – Tirmidhiu (658) me tekstin në fjalë, Ebu Daudi (2355) dhe Ibn Maxheh (1699). Hadithi është i dobët.
[41] – Ebu Daudi (2356) dhe Tirmidhiu (696). Hadithi është Hasen.
[42] – Buhariu (1904) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1151).
[43] – Buhariu (1903).
[44] – Buhariu (1933) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1155).
[45] – Ebu Daudi (142), Tirmidhiu (788), etj. Hadithi është Hasen Sahih.
[46] – Buhariu (1925) dhe Muslimi (1109).
[47] – Buhariu (1926) dhe Muslimi (1109).
[48] – Muslimi (1167).
[49] – Buhariu (1970) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1156).
[50] – Ebu Daudi (2428). Hadithi është Daif.
[51] – Buhariu (969).
[52] – Muslimi (1162).
[53] – Buhariu (2004) me version më të gjatë dhe po kështu edhe Muslimi (1130).
[54] – Muslimi (1162).
[55] – Muslimi (1134).
[56] – Muslimi (1164).
[57] – Muslimi (1162).
[58] – Tirmidhiu (747). Hadithi është Hasen. Këtë hadith e ka transmetuar edhe imam Muslimi, por në transmetimin e tij nuk është përmendur fjala agjërim.
[59] – Tirmidhiu (745). Hadithi është Hasen.
[60] – Buhariu (1981) dhe Muslimi (721) me tekstin në fjalë.
[61] – Muslimi (722).
[62] – Buhariu (1979) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1159).
[63] – Muslimi (1160).
[64] – Tirmidhiu (761). Hadithi është Hasen.
[65] – Ebu Daudi (2449). Hadithi është Sahih.
[66] – Nesaiu (2345). Hadithi është Hasen.
[67] – Tirmidhiu (807). Hadithi është Sahih.
[68] – Tirmidhiu (785). Hadithi është Hasen.
[69] – Ebu Daudi (3854). Hadithi është Sahih.
[70] – Buhariu (2025) dhe Muslimi (1171).
[71] – Buhariu (2026) dhe Muslimi (1172).
[72] – Buhariu (2044).
[73] – Buhariu (8) dhe Muslimi (16) me pak ndryshim.
[74] – Muslimi (1337).
[75] – Buhariu (26) dhe Muslimi (83).
[76] – Buhariu (1521) dhe Muslimi (1350).
[77] – Buhariu (1773) dhe Muslimi (1349).
[78] – Buhariu (2784).
[79] – Muslimi (1348).
[80] – Buhariu (1863) dhe Muslimi (1256).
[81] – Buhariu (1863) dhe Muslimi (1256).
[82] – Buhariu (1854) dhe Muslimi (1334).
[83] – Ebu Daudi (1810).
[84] – Buhariu (1858).
[85] – Muslimi (1336).
[86] – Buhariu (1517).
[87] – Sure Bekare: 198.
[88] – Buhariu (2050).
[89] – Buhariu (26) dhe Muslimi (83).
[90] – Buhariu (527) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (85).
[91] – Buhariu (2518) dhe Muslimi (84) me pak ndryshim.
[92] – Buhariu (2245) dhe Muslimi (1881) me tekstin në fjalë.
[93] – Buhariu (2786) dhe Muslimi (1888) me tekstin në fjalë.
[94] – Buhariu (2892) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1881).
[95] – Muslimi (1913).
[96] – Ebu Daudi (2500) dhe Tirmidhiu (1621). Hadithi është Sahih Li Gajrihi.
[97] – Tirmidhiu (1677). Hadithi është Hasen Sahih.
[98] – Buhariu (5533) një pjesë të tij dhe Muslimi (1876).
[99] – Buhariu (5533) dhe Muslimi (1876) me version më të gjatë.
[100] – Ebu Daudi (2541) dhe Tirmidhiu (1657). Hadithi është Sahih.
[101] – Tirmidhiu (1650). Hadithi është Hasen.
[102] – Buhariu (2785) dhe Muslimi (1878).
[103] – Muslimi (1899).
[104] – Buhariu (2790).







