Ripërtërije jetën tënde

Rejhan Neziri

„O ju që besuat, kijeni parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka përgatitur për nesër (në Ahiret)! Kijeni frikë All-llahun! S’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni“ (el-Hashër:18).

Njeriu, si një qenie ndërmjet melekëve e shejtanëve, di të ngrihet lartë e të përsoset sa të mund t’i marrë vetitë e qenieve fisnike që nuk dinë të gabojnë e që janë melekët, po edhe di të bjerë poshtë e të nënvleftësohet sa të mund t’i marrë vetitë e qenieve të padëgjueshme që nuk dinë të bëjnë mirë e që janë shejtanët. I ndodhur në këtë udhëkryq të lirisë individuale, njeriu shpeshherë bie pre e mashtrimeve dhe qejfeve të egos së tij, të nxitura nga shejtanët, ndaj edhe zhytet gjithnjë thellë e më thellë në të ligat e të këqijat e kësaj bote. I prekur dhe i ndikuar nga ndonjë fjalë a sugjerim i mirë e me vend, ngandonjëherë i mbushet mendja që të përmirësohet, të bëjë një kthesë në jetën e vet e të nisë një jetë të re të mbështetur në parimet e shëndosha hyjnore. Për një kthesë të këtillë ai pret ndonjë moment të rëndësishëm, si zakonisht pret t’i ndryshohet gjendja ekonomike e të mëkëmbet financiarisht ose pret ndonjë datë me rëndësi, si ditëlindjen, Vitin e Ri etj., ose pret të martohet, të shkojë në haxhxh ose edhe ta ndërrojë vendbanimin.

Duke e shtyrë dhe vonuar këtë vendim të tijin, mendon se në atë momentin e pritur, nga jashtë do t’i vijë ndonjë forcë e veçantë e cila do ta angazhojë në veprim të drejtë e do ta zgjojë nga fjetja e përgjithmonshme, do ta motivojë nga amullia e gjatë në të cilën ndodhet.

Sigurisht që asnjëra prej këtyre nuk janë forca e vërtetë për ta kryer këtë kthim në vetvete. Ajo që e siguron këtë forcë, lind nga brendia e njeriut, nga zemra dhe guximi i brendshëm i njeriut. Guximi dhe dëshira për jetë të vazhdueshme e të paharrueshme, kurrë nuk mund ta luhatë bindjen e njeriut, bile edhe në momentet kur ai mendon se është koha më e pavolitshme për përmirësim dhe kthim kah vetvetja, kah natyrorja e hyjnorja. Njeriu i paluhatshëm, bile edhe në rrethana të vështira ekonomike e jetësore duhet të jetë sikur fara e trëndafilit e mbjellë në tokë, e cila duke i hapur rrugë vetes nëpër truall drejt dritës së diellit, tokën me pleh dhe ujin e turbullt i shndërron në ngjyrë të mrekullueshme e në aromë të këndshme..! Pra, bën përmirësimin e rrethanave ku ndodhet ose ec rrugës së vet pa e penguar këto rrethana.

Ardhmëria e afërt që është përpara teje, ti vetë dhe rrethanat e kushtet e volitshme apo të pavolitshme në të cilat jeton, përbëjnë bazën e vetme mbi të cilën mund ta ngresh ardhmërinë tënde. Prandaj, nuk ka vend për ndalim dhe pritje të rasteve e momenteve të veçanta për të ndërmarrë diçka jetësore. Pejgamberi a. s. në një hadith të tijin thotë: “All-llahu e lëshon mëshirën e vet natën për t’i falur ata që kanë gabuar ditën dhe e lëshon mëshirën e vet ditën për t’i falur ata që kanë gabuar natën”.

Pra, përderisa All-llahu xh. sh. është i gatshëm të të falë për gabimet që ke bërë daç ditën daç natën, përse ti nuk je i gatshëm të kërkosh nga Zoti faljen e gabimeve në çdo kohë e sidomos në momentin e tanishëm? Përse pret ndonjë kohë a rrethana e kushte të tjera? Mos mendon se do të të përmirësohet jeta vetvetiu, ose nga ndonjë shkak i jashtëm?

Vërtet, çdo vonim i pendimit dhe i rregullimit të jetës, do të thotë ta vonosh dhe zgjatësh jetën tënde të errët dhe të pajtohesh të mbetesh i shkelur ndaj sulmeve të tekeve e qejfeve tua të pafund. Kjo pritje shpesh mund të bëhet shkak për një dëshpërim dhe humbje akoma më të madhe. Lidhur me këtë Pejgamberi a. s. ka thënë: “I penduari prej All-llahut pret mëshirë, kurse i vonuari pret qortim. O njerëz, dijeni se çdokush do të vijë përpara Zotit me veprat e veta dhe askush nuk do ta lëshojë këtë botë pa i parë veprat e tij të mira e të këqija! Dijeni se veprat vlerësohen sipas përfundimit të tyre!”.

“Të keni dro e frikë shtyrjen dhe vonesën (për pendim), sepse vdekja mund t’ju vijë papritmas!”.

Prandaj, vëlla i dashur, mos vazhdo që terrin ta kërkosh në terr, ose dritën ta kërkosh duke e shuar e zhdukur mjetin për dritë. Ky mjet drite për jetën tënde është tevbeja – pendimi i sinqertë që do ta bësh këtu dhe tani, e jo diku tjetër apo në ndonjë kohë tjetër. Sepse çdo vonim do të thotë që ti pajtohesh me këtë gjendje ku je dhe i jep të drejtë vetvetes që të gabosh akoma më tepër, së paku edhe për një kohë të pacaktuar.

Këtë përshpejtim të pendimit Pejgamberi a. s. e ka shprehur kështu: “All-llahu xh. sh. gëzohet me pendimin e robit të Tij më tepër sesa një njeri i cili udhëton nëpër shkretëtirë me një deve në të cilën ka ngarkuar gjithë ushqimin dhe ujin e tij. I lodhur, ky ulet të pushojë dhe e zë gjumi. Kur zgjohet e sheh devenë se kishte ikur me gjithë ushqimin e ujin dhe duke e kërkuar atë bie i molisur nga uria dhe etja dhe vendos të flejë derisa të vdesë. E vë kokën mbi dorën e vet dhe e zë gjumi, kur zgjohet e sheh aty pranë devenë e vet me gjithë ujin dhe ushqimin. All-llahu gëzohet më shumë me pendimin e robit të Tij sesa ky njeriu kur e sheh devenë e vet.”

Omeri r. a. ka thënë: “Merre veten në llogari, para se të të marrë All-llahu xh. sh. dhe peshoji veprat e punët tua para se të t’i peshojë All-llahu xh. sh. ditën e Kijametit”.

All-llahu xh. sh. na faltë e na bëftë prej robërve që pendohen shpesh dhe pas çdo gabimi e gjunahi të bërë! AMIN!

Nga: Rejhan Neziri