Rishi Sunak: Kina është kërcënimi më i madh

Rishi Sunak

Ish-ministri i Financave të Britanisë, Rishi Sunak, një nga dy kandidatët e mbetur në garë për të zëvëndësuar kryeministrin konservator Boris Johnson, e quajti Kinën “kërcënimi më i madh në terma afatgjatë” për Mbretërinë e Bashkuar, sipas mediave të huaja.

Duke akuzuar Kinën për “vjedhjen e teknologjive tona dhe infiltrimin në universitetet tona”, Rishi Sunak dukej se po e mbivlerësonte çështjen pasi rivalja e tij në garën për Downing Street, ministrja e Jashtme britanike Liz Truss, kishte ashpërsuar tashmë tonet kundër Pekinit.

Fushata e dy kandidatëve për të pasuar Johnson, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen pas një serie të gjatë skandalesh, kohët e fundit është dukur si një ankand premtimesh për çështje që shqetësojnë të djathtën konservatore, si emigracioni.

Rishi Sunak, nëse zgjidhet si lideri i ri i Partisë Konservatore, premton se do të mbyllë 30 Institutet Konfuci në Mbretërinë e Bashkuar. Të financuara nga shteti kinez, këto institucione synojnë të promovojnë gjuhën dhe kulturën e Kinës, por janë akuzuar nga disa ligjvënës konservatorë se u shërbejnë qëllimeve të propagandës dhe spiunazhit të Pekinit.

Në një deklaratë, Sunak argumentoi se Kina “po mbështet pushtimin fashist të Ukrainës nga Presidenti rus Vladimir Putin duke blerë naftën e saj dhe duke u përpjekur të pushtojë fqinjët e saj, përfshirë Tajvanin”.

Ndër premtimet e Sunak është formimi i një aleance ndërkombëtare, të modeluar sipas NATO-s, për “mbrojtjen” kundër atyre që ai i quan sulmet kibernetike të Kinës, forcimin e mbështetjes së MI5 (Inteligjenca ushtarake britanike) në biznese. dhe universitetet për të luftuar spiunazhin kinez dhe madje bllokimin e eksporteve të sektorëve kryesorë nga kompanitë kineze. /abcnews