Ballina Sport Futboll Ronaldo: lamtumira e shëmtuar e një kampioni egoist!

Ronaldo: lamtumira e shëmtuar e një kampioni egoist!

Largimi i tij nga Portugalia, shumë i ndryshëm nga ajo e Messit

Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund marrëdhënies me kombëtaren e Portugalisë. Një ndarje spektakolare dhe publike, që nisi në pankinën e Oslos, ku ai nuk bëri asgjë për të fshehur pakënaqësinë që nuk u aktivizua të paktën për gjysmë ore.

Më pas erdhën largimi i menjëhershëm drejt dhomave të zhveshjes, mungesat në stërvitje, ndërmjetësimi i dështuar i presidentit të Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, i cili udhëtoi me urgjencë nga Azoret drejt Kopenhagës, dhe në fund, ndarja.

Kriza që po përçan Portugalinë u konsumua brenda pak orësh. Rolin e “të keqit” e mori përsipër Jorge Jesus, trajneri i thirrur në Lisbonë pas një zhgënjimi në Kupën e Botës dhe ironikisht, trajneri i fundit që i kishte dhuruar Ronaldos, te Al Nassr në Arabinë Saudite, gëzimin e ngritjes së një trofeu.

Sido që të ketë qenë historia, skenari është klasik: një kampion në fundin e karrierës përplaset me realitetin pasi kupton se nuk është më qendra e skuadrës, ndoshta as një figurë periferike, në një kombëtare që për vite me radhë ka qenë “e tija”.

Shkëndija që ndezi gjithçka ishte ndeshja në Oslo kundër Norvegjisë. Ronaldo ishte lënë në stol, me premtimin se do të futej në mesin e pjesës së dytë. Por Gonçalo Ramos po luante mirë, kishte shënuar dhe po bënte edhe presionin e parë ndaj mbrojtësve kundërshtarë, një detyrë që CR7 nuk e ka bërë kurrë me shumë dëshirë dhe që në moshën 41-vjeçare, për arsye të dukshme fizike, nuk mund ta përballojë më si dikur.

Përballë qëndrimit sfidues të Ronaldos, i cili nuk u paraqit në asnjë nga stërvitjet gjatë dy ditëve pasuese, Jorge Jesus zgjodhi qartësinë brutale: skuadra mbi gjithçka.

“Unë jam trajneri dhe vendosa të mos e aktivizoj. Nëse do të kem nevojë për të për 30 minuta, do të luajë. Në të kundërt, do të qëndrojë në stol. Asnjë lojtar nuk do të më ndryshojë mendjen për këtë, as ai dhe as askush tjetër në futboll. Asnjë president federate!”, deklaroi Jesus për mediat portugeze.

Për trajnerin, çështja ishte e mbyllur. Për Ronaldon, jo. Ai nuk u ndikua as nga përpjekjet e presidentit të federatës për të ndërmjetësuar dhe vendosi të largohej. Përmes rrjeteve sociale, njoftoi se kishte marrë vendimin të linte grumbullimin e kombëtares.

“Pas konferencës së trajnerit dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, kam vendosur të largohem nga grumbullimi i kombëtares. Në kohën e duhur, do t’u tregoj të gjithë portugezëve të vërtetën për arsyet e largimit tim nga kombëtarja, së cilës i jam përkushtuar gjithmonë me përkushtim. Ka ardhur koha t’i uroj fat Portugalisë dhe të gjithë shokëve të mi të skuadrës, pa përjashtim.”

Historia duket e mbyllur, të paktën për momentin. Largimi i Ronaldos nga kombëtarja portugeze – nëse është vërtet e tillë – e ka tronditur opinionin publik. Ai është rekordmeni absolut i Portugalisë, me 234 ndeshje dhe 146 gola, ndërsa ka ndihmuar kombëtaren të fitojë një Kampionat Evropian dhe dy trofe të Nations League.

Por pikërisht ky status i jashtëzakonshëm ka krijuar edhe ndarjen. Një pjesë e portugezëve e konsideron largimin e tij një goditje ndaj kombëtares, ndërsa të tjerë mendojnë se për shumë kohë është toleruar ideja se Ronaldo mund të vendoste vetë për çështjet e ekipit kombëtar.

Për vite me radhë, formula dukej sikur ishte “Ronaldo plus 10 të tjerë”. Kjo u pa edhe në vitet e fundit, përfshirë një Botëror ku CR7 shpesh dukej më i përqendruar te objektivat personale sesa te ato të skuadrës.

Një qasje që mund të funksionojë në futbollin spektakolar dhe shumë të pasur të Arabisë Saudite, ku ai vazhdon të grumbullojë gola për të arritur shifrën simbolike të 1000 golave. Por është shumë më e vështirë të funksionojë në një kombëtare si Portugalia, e cila ka një brez lojtarësh me potencial për të konkurruar për trofe.

Nëse Ronaldo do të rikthehet apo jo, kjo mbetet për t’u parë. Po kështu, mbetet e paqartë se çfarë premtimi i ka bërë Jorge Jesus dhe nëse ai është mbajtur apo jo. Vetë Ronaldo ka paralajmëruar se në kohën e duhur, do të tregojë versionin e tij.

Por historia ngre një pyetje më të gjerë. Largimi i Ronaldos nga Portugalia është shumë i ndryshëm nga tërheqja që Lionel Messi zgjodhi vetë nga kombëtarja e Argjentinës, apo nga mënyra se si Luka Modriç vazhdon të vihet në dispozicion të Kroacisë.

Tre kampionë të së njëjtës gjeneratë. Tre karriera të jashtëzakonshme. Por edhe tre mënyra krejt të ndryshme për t’u përballur me perëndimin e një epoke. \tesheshi