Rrëmbehet një avion me 118 pasagjerë në bord

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat ka deklaruar se një avion i shoqërisë ajrore libiane Afriqiyah është rrëmbyer dhe është ulur në Maltë, raporton Anadolu Agency (AA).

Avioni i shoqërisë ajrore Afriqiyah i cili kryente një fluturim të brendshëm në Libi është rrëmbyer me 118 pasagjerët që ndodheshin në bord.

Kryeministri maltez në një postim në llogarinë e tij në twitter është shprehur: “Kam marrë informacion në lidhje me avionin e fluturimeve të brendshme të Libisë që është ulur në Maltë. Forcat tona të sigurisë dhe ekipet e emergjencës kanë marrë të gjitha masat e nevojshme.”

Sipas një ueb-portali të transportit ajror, Flightradar24, avioni i tipit Airbus 320 përket shoqërisë libiane Afriqiyah. Në bordin e tij ka 118 pasagjerë. Në momentin e rrëmbimit ai po kryente fluturimin nga Sebha në drejtim të Tripolit.

Forcat e sigurisë kanë rrethuar avionin i cili ndodhet në pistën e aeroportit të Maltës.