Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rritet në 42 numri i viktimave nga përmbytjet në Kenia

Rritet në 42 numri i viktimave nga përmbytjet në Kenia

Të paktën 42 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të rënda në Kenia, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut që nisën të premten dhe përfshinë disa rajone të vendit.

Sipas policisë, 26 nga viktimat janë regjistruar në kryeqytetin Nairobi, ku ujërat e përmbytjeve përshkuan lagjet e ulëta dhe vendbanimet informale, duke përmbytur shtëpi dhe duke marrë me vete automjete pasi lumenjtë dolën nga shtrati.

Ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në disa zona të qytetit dhe në rrethinat përreth.

Autoritetet njoftuan se viktima janë raportuar edhe në disa qarqe të tjera të vendit, ndërsa reshjet e rrëmbyeshme gjatë fundjavës kanë përmbytur rrugë, duke ndërprerë transportin dhe aktivitetet e përditshme në shumë qytete.

Ministri i Shërbimeve Publike dhe Programeve të Veçanta, Geoffrey Ruku, konfirmoi numrin e viktimave dhe tha se qeveria ka dërguar ekipe emergjente për të ndihmuar komunitetet e prekura.

Ai gjithashtu njoftoi se qeveria do të mbulojë shpenzimet spitalore për personat e plagosur nga përmbytjet, si dhe shpenzimet e varrimit për familjet që kanë humbur të afërmit.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, biznese dhe infrastrukturë në disa pjesë të Nairobit dhe rajone të tjera të vendit, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura. /mesazhi