Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Grupi operacional detar turk trajnon studentët e Akademisë Detare të Libisë

Grupi operacional detar turk trajnon studentët e Akademisë Detare të Libisë

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë tha të shtunën se studentët e Akademisë Detare të Libisë kanë marrë trajnim praktik në port në bordin e fregatës së Marinës Turke TCG Turgutreis, e cila shërben në kuadër të Grupit të Forcave Detare Turke, transmeton Anadolu.

“Seanca trajnimi praktik u zhvilluan për studentët e Akademisë Detare të Libisë në bordin e fregatës TCG Turgutreis, që shërben në kuadër të Grupit të Forcave Detare Turke, nën koordinimin e Komandës së Qendrës së Përbashkët të Trajnimit Detar në Homs. Pas përfundimit të trajnimit, studentëve iu dorëzuan certifikatat”, tha ministria në platformën sociale turke NSosyal.

Postimi përfshinte gjithashtu fotografi nga trajnimi.

Marrëveshja për delimitimin e kufijve detarë mes Turqisë dhe Libisë, e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë, u publikua të mërkurën në Fletoren Zyrtare të Libisë, së bashku me hartën dhe koordinatat gjeografike.

Marrëveshja u miratua përmes Ligjit nr. 8 të vitit 2026, të publikuar në numrin 17 të Fletores Zyrtare të parlamentit libian. Ligji ratifikon memorandumin e mirëkuptimit të vitit 2019 për delimitimin e zonave të juridiksionit detar në Mesdhe, të nënshkruar nga Turqia dhe Qeveria e atëhershme e Akordit Kombëtar të Libisë.