Rritet në 5.791 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e Izraelit ndaj Gazës

Numri i palestinezëve të vrarë nga bombardimet izraelite që vazhdojnë në ditën e 18-të në Rripin e bllokuar të Gazës ka shkuar në 5.791, një rritje prej 704 persona në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza informoi rreth numrit të viktimave në sulmet izraelite. Nga ministria njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë është rritur në 5.791, përfshirë 2.360 fëmijë dhe 1.292 gra, ndërsa numri i të plagosurve në 16.297.

Më tej bëhet e ditur se sistemi shëndetësor në spitalet e Gazës ka rënë plotësisht. Ministria e Brendshme në Gaza tha se Izraeli ka bombarduar një zonë në afërsi të spitalit Wafa në Gaza si dhe çarshinë në kampin e refugjatëve Nusairat.

Sipas njoftimit në dy rajone të bombarduara në fjalë ka dhjetëra viktima.

– Situata e fundit në sulmet e Izraelit në Gaza

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, mëngjesin e 7 tetorit nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” ndaj Izraelit.

Ushtria izraelite gjithashtu filloi të sulmojë Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.400 izraelitë, përfshirë 308 ushtarë dhe 5.132 janë plagosur.

Gjithashtu më shumë se 90 palestinezë u vranë në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në përleshje humbën jetën 24 gazetarë, mes të cilëve 20 palestinezë, 3 izraelitë dhe një libanez.