Rrugës për në shtëpi

Filmi ‘Homeward’ në original ‘Додому’ (Për në shtëpi), i xhiruar në vitin 2019, në regjinë e Nariman Alievit, është ndër filmat më të mirë të Ukrainës. Tregimi ka të bëjë me tatarët, gjegjësisht marrëdhënien mes babait dhe të birit nga ky etnicitet, që rrëfehet gjatë rrugës nga Kievi për Krime. Babai, i shoqëruar nga djali student në Kiev, me makinën e tij e bartë kufomën e djalit të madh, i cili është vrarë në luftën ruso-ukrainase. Babai dëshiron ta varrosë të birin në vendlindje, në Krime, mijëra kilometra larg morgut të Kievit.
Rrugës ka probleme për shkak të gjendjes së luftës dhe duhet që varrimi të bëhet në mënyrë të fshehur pasi që ky rajon tanimë është i okupuar nga rusët, të cilët ia kanë vrarë djalin. Gjatë udhëtimit, në retrospektivë, tregohet e kaluara e vështirë e tatarëve, shumicën e të cilëve e kishte deportuar Stalini nga vendlindja e tyre, Krimea, por që disa kthehen pas rënies së komunizmit.
Më në fund, pas shumë problemeve të mëdha, babai ia del ta varrosë të birin, ashtu siç e kërkon adeti tatar dhe mysliman. Por, pak para varrimit, vdes edhe babai. Djali, që mbetet gjallë, në fillim duket se është ukrainizuar dhe ky është problemi që krijon kundërshtime me babain, i cili mëton t’i ruajë traditat tatare. Por, vrasja e vëllaut, ngjarjet dhe biseda gjatë rrugës, ndikon që djali t’iu kthehet rrënjëve të tija etnike.
Aliev është ndër regjisorët më të mirë ukrainas dhe më tej. Ai, me këtë film ka arritur që në mënyrë të shkëlqyeshme ta paraqes dashurinë e prindit ndaj fëmijëve, atmosferën e rëndë të vdekjes, zymtësinë e gjendjes së jashtzakonshme, shqetësimin e padurueshëm shpirtëror që krijon lufta, dëshirën për ta ruajtur origjinën, sakrificën për vënien e amanetit në vend, problemet familjare, dashurinë dhe obligimin që ka njeriu ndaj vendlindjes.
Është film që nuk shikohet pa shqetësime dhe ky është efekti i dëshiruar i filmit dhe sukses i regjisorit dhe aktorëve të shkëlqyeshëm. Është nga filmat që nuk kërkojnë shumë para për t’i bërë, por që duhet mjeshtëri.

Nga: Daut Dauti