Forcat e “Mbështetjes së Shpejtë” (RSF) kanë njoftuar se kanë vendosur kontrollin mbi qytetet Abu Qamra dhe Ambaro, në veri të qytetit El-Fasher, pas përleshjeve të ashpra me ushtrinë sudaneze dhe grupet e armatosura aleate.
Në një deklaratë të publikuar në platformën “Telegram”, RSF tha se forcat e saj “kanë siguruar plotësisht zonën e Abu Qamrës dhe kanë avancuar deri në Ambaro, duke i çliruar të dyja qytetet”, duke pretenduar se operacionet erdhën si reagim ndaj shkeljeve dhe sulmeve ndaj udhëheqësve lokalë dhe civilëve.
RSF deklaroi se qëllimi i saj është “mbrojtja e civilëve, eliminimi i xhepave të armatosur dhe ndalimi i hakmarrjeve dhe kaosit”, duke u bërë thirrje banorëve të bashkëpunojnë për sigurimin e tregjeve dhe objekteve publike e private. Ndërkohë, luftëtarë të RSF kanë shpërndarë pamje që tregojnë praninë e tyre në këto zona.
Sipas burimeve nga terreni, shumica e banorëve të Abu Qamrës dhe Ambaros janë zhvendosur gjatë muajve të fundit drejt Çadit, ndërsa forcat e ushtrisë dhe grupet e armatosura janë tërhequr drejt qytetit kufitar Tina, nën presionin e luftimeve intensive.
Vëzhgues ushtarakë vlerësojnë se kontrolli i këtyre dy qyteteve i jep RSF-së një avantazh strategjik në aksin verior shkretinor pranë kufijve me Libinë dhe Çadin, zonë me rëndësi ushtarake, tregtare dhe për linjat ndërkufitare të furnizimit, duke forcuar më tej ndikimin e saj në Darfur.
Ndërkohë, në Kordofan, RSF ka vijuar përshkallëzimin ushtarak, duke goditur për të dytën ditë radhazi me dronë objektiva ushtarake në qytetin El-Obeid. Mbrojtja tokësore ka deklaruar se ka zmbrapsur sulmet, ndërsa burime lokale raportojnë për shpërthime të dëgjuara në disa lagje të qytetit, duke shkaktuar shqetësim te banorët.
El-Obeid konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme tregtare dhe logjistike në Sudan, çka e bën atë objektiv të shpeshtë sulmesh.
Nga ana tjetër, ushtria sudaneze ka kryer sulme ajrore me dronë ndaj pozicioneve të RSF-së në Jabra al-Sheikh në veri të Kordofanit dhe në Barno në jug të Kordofanit, duke shkaktuar, sipas burimeve ushtarake, humbje të mëdha në njerëz dhe pajisje. /mesazhi







