Rusia pretendon se në sulmin ukrainas me dronë në Kherson humbën jetën 24 persona

Rusia pretendoi sot se të paktën 24 persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në sulmin me dronë të Ukrainës ndaj një kafeneje dhe hoteli në pjesën e kontrolluar nga Moska në rajonin Kherson, transmeton Anadolu.

“Natën vonë, armiku kreu sulm të qëllimshëm me dronë ndaj një vendi ku civilët po festonin vitin e ri”, tha Vladimir Saldo, kreu i rajonit i emëruar nga Rusia.

“Tre dronë goditën një kafene dhe hotel në bregdetin e Detit të Zi në Chorly. Të dhënat paraprake tregojnë se 24 persona humbën jetën dhe mbi 50 të tjerë u plagosën. Shifrat po verifikohen”, tha Saldo në Telegram.

Zyrtari shtoi se mjekët po luftojnë për të shpëtuar jetën e të plagosurve.

Sipas tij, sulmi me dron ndodhi pothuajse njëkohësisht me orën që shënoi mesnatën, duke rezultuar në një zjarr që u shua më pas, siç u raportua nga guvernatori i zonës.

Saldo akuzoi shërbimet britanike të inteligjencës për përfshirje në sulm.

“Nuk e përjashtoj që akti terrorist është kryer me mbështetjen e shërbimeve britanike të inteligjencës. Përndryshe, është e vështirë të shpjegohet besimi i Kievit në pandëshkueshmëri kur planifikon një krim të tillë”, tha ai.

Saldo njoftoi se shpalli 2-3 janarin si ditë zie në rajonin e Khersonit për shkak të sulmit në Chorly.

Ukraina ende nuk ka komentuar mbi pretendimet e Rusisë. Verifikimi i pavarur është sfidues për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.