“Sa të helmuar duhet t’a ketë mendjen dhe zemrën një person që t’a urrejë kaq shumë kombin e vet?!

Enes Neza

Evi Kokalari, pas përpjekjes së dështuar për të bërë politike ekstremiste në Shqipëri, tani përdor rrjetet sociale për të sulmuar kombin duke bërë thirrje për (s)pastrimin e muslimanë, ngjashëm me Izraelin që po bën spastrim etnik (e gjenocid) kundër palestinezëve.

Sa të helmuar duhet t’a ketë mendjen dhe zemrën një person që t’a urrejë kaq shumë kombin e vet?!

Sa i neveritshëm duhet të jetë një person që thotë se është patriote, që t’i etiketojë shqiptarët muslimanë si “kancer i kombit”?!

Kjo nuk është thjeshtë shprehje e mendimit të lirë. Por është urrejtje e pastër. Fjalë, që në çdo vend normal do përbënin bazë për hetim penal, jo për debat publik.

Të thuash që shqiptarët muslimanë janë “llum” që duhen (s)”pastruar”, do të thotë të duash që shumica e shqiptarëve duhet të zhduken. Kjo është retorikë e rrëzikshme që përgjatë historisë ka çuar në spastrime dhe gjenocide. Ballkani e njeh mirë këtë histori. Shqiptarët e kanë vuajtur në kurriz. Ata që fillojnë të ndajnë njerëzit në “të pastër” dhe “të ndotur”, e kane marrë rrugën e marrëzisë, një herë e mirë.

Kjo retorikë nuk është në thelb një diskutim për osmanët apo për palestinezët. Kjo është një përpjekje e lodhur për të krijuar një diskurs përçarës që i ndan shqiptarët në “shqiptarë të këqinj” e “shqiptarë të mirë”, ku i mirë mund të jesh vetëm nëse je jo musliman, jo me histori “orientale”, jo me një të kaluar islame. Dhe kësaj i thonë Islamofobi; në formën më të pastër dhe më të rrezikshme.

Kokalari nuk është thjesht islamofobe. Ajo është edhe anti-shqiptare. Sepse nuk ka gjë më antishqiptare se sa të përpiqesh t’i përçash njerëzit në bazë të fesë dhe të mbjellësh urrejtje mes shqiptarëve. Nuk ka gjë më të turpshme se sa te bësh thirrje për “pastrim” të shqiptarëve që nuk të pëlqejnë politikisht apo fetarisht. Kjo është një gjuhë që na ka kushtuar gjak: sidomos në Kosovë e Maqedoni.

Shqipëria nuk ka vend për ide të tilla. E kemi ndërtuar këtë vend duke jetuar bashkë më të gjitha fetë, duke respektuar njëri-tjetrin, jo duke u pastruar nga “llumrat” që thotë Kokalari. Nëse ka diçka që duhet pastruar, është urrejtja që disa si Evi Kokalari e shpërndajnë me krenari.

Në një vend që ka kaluar luftëra, diktaturë dhe dhunë, të bësh thirrje për “pastrim të kombit” nuk është vetëm idiotësi e çmenduri, është krim kundër njerëzimit. Dhe historia nuk i fal dot njerëzit që përçajnë kombin në emër të identitetit fallco.

Kushdo që ka ndërgjegje kombëtare e fetare (muslimanë, të krishterë, apo kushdo tjetër), duhet të reagojë e të dënojë një gjuhë të tillë.

PO, edhe kur kjo gjuhë vjen nga njerëz të dështuar si Kokalari.”

Enes Neza