Islami nuk është fe që i përket vetëm një gjeografie të caktuar dhe as për vende të qumështit të tharë dhe hurmave, por për mbarë botën. A lejohet që Sadakaja e Fitrit të jepet në vleftë monetare?
1 – Gruri që njihet në kohën tonë nuk ishte ushqim i përhapur në kohën e Profetit (a.s) për shkak të mungesës së tij. Në atë kohë Sadakaja e Fitrit jepej me elb, hurma, qumësht të tharë dhe rrush të thatë.
2 – Kur erdhi koha e Umerit (r.a), gruri filloi të shfaqej dhe u përhap më shumë në kohën e Othmanit, Aliut dhe Muavijes. Vlera e një kilogrami gruri ishte dyfishi i vlerës së një kilogrami elbi, çfarë bënë sahabët?
Ibn el-Mundhiri transmeton me zinxhir të saktë: “Se ata bënë që një sa‘ (masë) gruri të barazohej me dy sa‘ elbi”, për shkak të dallimit në vlerë. Këtë e zbatoi edhe Muavija (r.a) në kohën e tij, dhe këtë e transmeton Buhariu në librin e tij.
Gjithashtu, Ibn el-Mundhiri transmeton se sahabët (r.a) vepruan sipas vlerës pa kundërshtim, përveç asaj që është përmendur nga Hafidh el Mundhiri për Ebu Seidin dhe Ibn Umerin. Pra, shumica e sahabëve vepruan duke marrë për bazë që ta jepnin atë në vlerë të barazflefshme.
3 – Kur Ibn Abasi (r.a) ishte guvernator në Basra, ai veproi mbi bazë të vlerës: e bëri një sa‘ gruri të barabartë me dy sa‘ elbi dhe i udhëzoi njerëzit me këtë fetva. Më pas, kur erdhi një vit ku gruri u bë më i lirë, ai i barazoi këto pa dallim.
4 – Nxjerrja e Sadakasë së Fitrit në kohën e sahabëve në vleftë. Në “El-Musannef” transmetohet: Na ka treguar Ebu Usame, nga Zuhejri, i cili ka thënë: kam dëgjuar Ebu Is’hakun duke thënë: “Kam arritur (brezin e sahabëve) dhe ata jepnin sadakanë e Ramazanit në dirhemë sipas vlerës së ushqimit.”
Them: zinxhiri i këtij hadithi është i saktë, dhe Ebu Is’hak es-Sebiiu ka jetuar deri në fund të kohës së Othman ibn Affanit. Ai e ka dëgjuar këtë nga tridhjetë e tetë sahabë.
Po ashtu Zuhriju transmeton se një gjë e tillë ka qenë praktikë edhe e imamllarëve. Ibn Zenxhujeh thotë: na ka treguar Abdullah ibn Salih, më ka treguar Lejthi, më ka treguar Junusi, nga Ibn Shihabi që tha: “Imamët merrnin Sadakanë e Fitrit në administratë për pagesat e tyre.” Ky është zinxhir i saktë transmetimi.
5 – Umer ibn Abd al-Azizi mendonte të merrej gjysmë dirhemi nga punonjësit e administratës në të gjithë shtetin si Sadaka e Fitrit dhe pastaj ta shpërndante. Këtë e kanë përmendur me zinxhir të saktë Ibn el-Mundhiri dhe el-Hafidhi, dhe kjo është argument se shteti mund të marrë vlerën (në para).
Këtë mendim e zgjodhi edhe Ibn Zenxhujeh duke thënë: “Vlera është e vlefshme në vend të ushqimit, në dashtë Allahu, por ushqimi është më i mirë.”
6 – Nga imamët e mëdhenj të tabi’inëve është transmetuar se Vitrat mund të jepen në vleftë monetare. Nga Hasani është transmetuar: “Nuk ka të keqe që të jepen dirhemet si Sadaka e Fitrit.”
Ibn Rashid ka thënë se për këtë çështje imam Buhariu ka mbajtur të njëjtin qëndrim si të dijetarëve të medh’hebit Hanefi, megjithëse ai shpesh nuk bie dakord me ta në shumë çështje, por argumenti e çoi atë tek ky vendim.
Ata të cilët e kanë lejuar dhënien e Sakadasë së Fitrit në vleftë monetare janë Hanefitë, një transmetim nga imam Ahmedi dhe Euzai, prej Shafi’tëve Er Remli dhe nga Malikitë Esh’hebi dhe Asbagi. Po ashtu këtë zgjedhje ka bërë edhe Ibn Tejmije, i cili ka thënë: “Sa i përket dhënies së saj në vlerë, ka debat: a lejohet gjithmonë? a nuk lejohet gjithmonë? apo lejohet vetëm në disa raste për nevojë ose për dobi më të madhe? Janë tre qëndrime, dhe ky qëndrim është më i drejtë.”
Ky është edhe qëndrimi i shejhut tonë El Amranit, i cili ka thënë: “Nëse interesi kërkon që ai duhet të jepet në para, atëherë jepet në para, duke marrë në konsideratë dobitë e të varfërve; nëse i varfëri do të blejë ilaçe për fëmijët e tij ose materiale për shkollimin e tyre apo gjëra të ngjashme, nuk ka pengesë që t’i jepen para.” Ky është qëndrimi edhe i doktor Jusuf Kardavit.
Shkurtimisht themi se: hadithi që flet për katër llojet e dhënies së Sadakasë së Fitrit nuk nënkupton kufizim. Kështu e kanë kuptuar sahabët, të cilët kanë bërë analogji. Teksti nuk nënkupton kufizim; thjesht tregon se këto gjëra jepen si Sadaka e Fitrit. Nëse diçka tjetër ka po të njëjtën dobi, ligji i Sheriatit nuk bën dallim midis të barabartëve në rregulla, por i bashkon ata. Kjo është arsyeja pse të gjithë shkollat juridike (medh’hebet), përveç Ibn Hazmit, nuk janë të kufizuara vetëm tek llojet e përmendura, por thonë se e rëndësishme është ushqimi i zakonshëm; dhe kjo është krahasim dhe vlerësim pa dyshim, dhe kjo i ka shtyrë ata për dhënien e vlerës në para.
Nëse dikush pyet: Pra, çfarë dobie ka përmendja e këtyre llojeve? Përgjigjja është: për të tërhequr vëmendjen dhe për të treguar çdo lloj ushqimi që është i njëllojtë me to; sepse kjo fe është universale dhe ushqimet ndryshojnë dhe interesi ndryshon nga vendi në vend. Ky tekst mbështet qëllimin ligjor të shkakut të Sadakasë së Fitrit, që është ushqimi për të varfrit. Ky është shpjegimi i qartë i qëllimit të sheriatit për këtë detyrim; çdo gjë që arrin këtë qëllim është e konsiderueshme.
7 – Analogjia në katër shkollat juridike është një argument i pranuar, dhe ne vërejmë se sahabët kanë bërë analogjinë e grurit me thekrën (elbin), të barazvlefshëm. Megjithatë, ne do të hasim në disa dijetarë që kanë refuzuar analogjinë e saktë që ndoqën sahabët duke ndjekur mendimin e shkollës së “Dhahiritëve”
8 – Mielli dhe orizi nuk janë përmendur drejtpërdrejt në tekst; por shumë juristë japin fetva në lidhje me to. Ata – në vendimin e tyre – nuk i janë përmbajtur tekstit, por kanë bërë analogji sikurse sahabët.
Autor: Fadl Murat
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com








