Salah, Haaland e Ibrahimoviq në mesin e yjeve që do të mungojnë në Katar

Mohamed Salah ka qenë një nga lojtarët më të mirë në botë këtë sezon. Ndërsa, Erling Haaland është ndoshta lojtari i ri më i vlerësuar në botën e futbollit. Portieri Gianluigi Buffon u shpall lojtari më i mirë i “Euro 2020” verën e shkuar. Dhe, çfarë ka tjetër për të shtuar për sulmuesin Zlatan Ibrahimoviq? Të gjithë lojtarët e lartpërmendur nuk do të luajnë në Kampionatin Botëror që do të mbahet në fund të këtij viti në Katar. Shorti për këtë turne do të tërhiqet të premten, ndërsa në Katar nuk do të paraqiten as disa lojtarë të profilit të lartë për shkak se ekipet e tyre nuk arritëm të sigurojnë kualifikimin.

Mohamed Salah (Egjipt)

Penalltia e tij e humbur kontribuoi në humbjen e Egjiptit nga Senegali pas gjuajtjes së penalltive në kualifikimet afrikane dhe pamjet treguan se Mohamed Salah ishte i mbrojtur nga objektet që i hidheshin teksa largohej nga fusha. Ishte një mënyrë e trishtueshme për t’i dhënë fund një tjetër episodi zhgënjyes të një karriere ndërkombëtare që ende nuk ka dhënë ndonjë çmim. Salah shkoi në kupën e botës “Rusia 2018” me një dëmtim në shpatull dhe nuk ishte në formën e tij më të mirë, pasi Egjipti u eliminua në fazën e grupeve. Ai ka humbur në finalen e dy turneve të Kupës së Afrikës, përfshirë një të këtij viti, dhe tani ai nuk do të jetë në Kupën e Botës që po zhvillohet kur të jetë në kulmin e karrierës. Tani për tani, 29-vjeçari Salah do të duhet të kënaqet me fitimin e titujve me Liverpoolin, ekip me të cilin ka gjasa që këtë edicion ta mbyllë me katër trofe.

Erling Haaland (Norvegji)

Sulmuesi i lënduar vetëm mundi të shikonte nga tribuna në nëntorin e kaluar teksa Norvegjia humbi nga Holanda në ndeshjen e fundit kualifikuese dhe përfundoi e treta në grup. Norvegjia luajti për herë të fundit në Kupën e Botës në vitin 1998 dhe golat e Haalandit e kishin çuar vendin e tij në prag të përfundimit të pritjes së saj të gjatë. Sulmuesi 21-vjeçar rivalizon Kylian Mbappen si sulmuesi i ri më emocionues në botë dhe mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë ende në Borussia Dortmund deri në fillimin e Kupës së Botës, pasi është bërë një nga lojtarët më të kërkuar në Evropë. Haaland është edhe golashënuesi më i mirë i Dortmundit këtë sezon, me 16 gola në 17 ndeshje të ligës, pavarësisht se ka munguar një pjesë të sezonit për shkak të lëndimeve.

Zlatan Ibrahimoviq (Suedi)

Ibrahimoviqi doli nga pensioni ndërkombëtar në fillim të vitit 2021 me synimin për të luajtur në Kampionatin Evropian. Ai përfundimisht e humbi atë për shkak të lëndimit dhe nuk mundi ta ndihmonte Suedinë të kualifikohej në Kupën e Botës, pasi u fut në dhjetë minutat e fundit të humbjes në finalen e plejofit kundër Polonisë (2:0). Ibra nuk ishte plotësisht në formë pas një dëmtimi të fundit, një nga disa që kanë bërë që sulmuesi 40-vjeçar të humbasë shumë ndeshje të këtij sezoni te Milani. Ai duket se do të nënshkruajë për një vit tjetër me Milanin, por turneu në Katar ishte me siguri shansi i tij i fundit për të luajtur në një Kupë Botërore. Ai mund të ketë ende shpresa për të luajtur në “Euro 2024”, pasi tha se mbetet i disponueshëm për Suedinë.

Gianluigi Donnarumma (Itali)

I shpallur lojtari më i mirë i “Euro 2020” pasi ndihmoi Italinë ta mposhtte Anglinë në finalen e këtij turneu pas penalltive, Gianluigi Donnarumma gjithashtu ndihmoi italianët të vendosin një rekord botëror prej 1,168 minutash pa pësuar gol. Por ashtu si Italia edhe ai ka treguar që atëherë një rënie të dukshme dhe ka humbur vendin e titullarit në nivel klubi këtë sezon pas kalimit nga Milani te Paris Saint-Germaini. Një gabim nga Donnarummas e ndihmoi Real Madridin të eliminonte PSG-në nga Liga e Kampionëve dhe portieri 23-vjeçar gjithashtu tërhoqi shumë kritika për golin e vonshëm të Maqedonisë së Veriut që e pa Italinë të dështonte të kualifikohej në Kupën e Botës për herën e dytë rresht. Jorginho, i treti në votim për lojtarin e vitit në botë, është gjithashtu mes italianëve që do të mungojnë në Katar.

Luis Diaz (Kolumbi)

Anësori 25-vjeçar i Liverpoolit e ka tejkaluar James Rodriguezin si lojtari më i spikatur për Kolumbinë dhe u barazua me Lionel Messin si golashënuesi më i mirë në “Copa America” vitin e kaluar. Megjithatë, ai nuk mund ta frymëzonte ekipin e tij për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, me Kolumbinë që përfundoi në vendin e gjashtë në kualifikimet e Amerikës së Jugut. Karriera e tij në klub mbetet në rritje, pasi u transferua në Liverpool nga Porto në janar dhe bëri një tranzicion të qetë në sulmin e mbushur me yje të ekipit nga Premier League.

Riyad Mahrez (Algjeri)

Mahrez, një ish-lojtar afrikan i vitit, ishte pjesë e skuadrës së Algjerisë që pranoi gol në minutën e katërt të kohës shtesë kundër Kamerunit të martën për të humbur kualifikimin. Anësori i Manchester Cityt do të duhet të presë të paktën edhe katër vjet për një tjetër paraqitje në Kupën e Botës. Ai shkoi si një lojtar 23-vjeçar pa përvojë në turneun e vitit 2014 në Brazil dhe ishte titullar në ndeshjen hapëse të Algjerisë kundër Belgjikës.

Jan Oblak (Slloveni)

Për shumë njerëz, Oblak është portieri më i mirë në botë, megjithëse shumica e vlerësimeve për të rrjedhin nga paraqitjet e tij në nivel klubi për Atletico Madridin. A do të luajë Oblak ndonjëherë në një Botëror? Sllovenia për herë të fundit u paraqit në këtë turne në vitin 2010, ndërsa në kualifikimet për Botërorin e këtij viti përfundoi e katërta në grupin e saj kualifikues. Në moshën 29-vjeçare, Oblak ka të ngjarë të ketë disa shanse të tjera për t’u paraqitur në këtë ngjarje.