Lakrat e bardha në këtë periudhë janë në çdo treg fruta perimesh.
Përveç shijes së veçantë, lakra ka nivelet më të larta të antioksidantëve mes perimeve, duke e shndërruar në një zgjedhje shumë të shëndetshme.
Recetat me këtë perime janë të shumta, duke filluar nga dollmatë e mbushura me oriz e deri tek turshitë e mrekullueshme.
Lakra e bardhë gjithashtu është dhe përbërësi i shumë sallatave plot vitamin dhe shije.
Sallata me lakër të lardhë dhe kos përgatitet fare lehtë dhe mund të shoqërojë vaktet e ngrohta në familje.
Mjaftojnë vetëm disa minuta dhe do të keni përgatitur një recetë të re për të kënaqur familjarët tuaj.
Përbërësit
- 150 g kos
- 2 lugë gjelle me uthull molle
- 1 lugë gjelle vaj ulliri
- Kripë
- Piper i zi
- 500 g lakër
Hapat e përgatitjes
- Filloni duke pastruar lakrën e më pas duke e shplarë me ujë të bollshëm.
- Lakrën duhet ta grini jo shumë imët. Mund të përdorni renden nga ana e rrallë e dhëmbëzave.
- Sipas preferencës, për më shumë shije mund të kombinoni lakër të bardhë me lakër të kuqe si dhe mund të shtoni edhe 2-3 karrota të grira në rende.
- Kalojeni lakrën e grirë në një tas të thellë dhe spërkateni me kripë dhe me duar shtypeni lehtë.
- Ky proces do të mundësojë që lakra të marrë kripën e nevojshme dhe të ketë një shije më të fortë.
- Në një tas të vogël hidhni kosin, uthullën e mollës kripën dhe piperin dhe me ndihmën e telit të kuzhinës përzjejini derisa të krijohet një masë homogjene.
- Këtë përbërje hidhjani sipër lakrës dhe përzjejeni në mënyrë që të gjitha copëzat e lakrës të jenë të mbuluara me të.
- Mbulojeni tasin me qese kuzhine dhe vendoseni në frigorifer për të paktën 30 minuta.
- Kur e lejoni që të qëndrojë në frigorifer, lakra do të zbutet pasi do të përthithi lagështirën e kosit.
- Shija e tyre do të ndërthuret duke rezultuar në një sallatë të freskët dhe plot vlera shëndetësore.
- Para se ta servirni lëreni pak në temperaturë ambjenti dhe spërkateni sipër me vaj ulliri.








