SBASHK: Oferta e Kryeministrit, as afër kërkesave tona

Kryetari I SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, bashkë me disa nga anëtarët e Këshillit Grevist ka bashkëbiseduar sot me grevistët në çerdhen ‘Gëzimi Ynë’ dhe shkollën e mesme të ultë ‘Migjeni’ në qytetin e Mitrovicës. ‘Nuk po kërkojmë më shumë dhe as më pak sesa të tjerët. Po kërkojmë ta mbrojmë dinjitetin tonë. Në këtë grevë kemi hyrë të bashkuar, kështu edhe do të vazhdojmë. Ose do të fitojmë, ose do të humbim të gjithë bashkë, duke mbrojtur tërë sistemin arsimor”, ka thënë veç tjerash Jasharaj para grevistëve. Sipas tij, oferta e mbrëmshme për ngritjen e pagave nga ana e kryeministrit të Kosovës, nuk është as afër kërkesave të SBASHK-ut. Ai tha se kjo ofertë ka të meta ngase nuk është përfshirë I tërë sektori i arsimit, siç janë çerdhet, punëtorët teknik, si dhe një pjesë e madhe e universiteteve. Jasharaj, duke paralajmëruar presione të mundshme ndaj grevistëve, bëri thirrje për unitet dhe vendosmëri në kërkesat e tyre, ndërsa premtoi padi kundër atyre që ushtrojnë presion. “Mjaft po na ndajnë të tjerët, ne nuk duam të ndahemi njëri me tjetrin. Ju lutem të jeni këmbëngulës sepse qeveria ka provuar që fillimisht t’na mashtrojë me disa shifra, dhe duke parë vendosmërinë tonë në qendër, do të provojë që të ushtrojë presion nëpër komuna. Mos ju besoni dezinformatave, sepse ka pasur fjalë se disa komuna si Juniku etj kanë filluar mësimin, por nuk është e vërtetë. ..Në cilëndo shkollë të ketë presione se duhet të punoni pa qare dhe ngjashëm, ne do t’i padisim”, theksoi Jasharaj. Edhe Isa Ismajli, kryetar I Sindikatës Komunale në Mitrovicë, u shpreh i pakënaqur me ofertën e kryeministrit për ngritjen e pagave. “Edhe unë nuk jam i kënaqur me propozimin e kryeministrit Haradinaj sepse nuk janë të përfshirë të gjithë. Nuk janë përfshirë parafillorët, punëtorët teknik, administrata në universitet, kështu që oferta ka defekte shumë”, tha Ismajli. Naile Uka, edukatore në çerdhen ‘Gëzimi Ynë, njëherësh anëtare e Këshillit Drejtues së SBASHK-ut, ofertën e kryeministrit e ka quajtur shumë simbolike. Ajo tha se ndjen keqardhje për ndërprerjen e mësimit, por se mësimdhënësit vërtetë janë të degraduar dhe se greva do të vazhdojë deri në një vendim ndryshe nga kryesia e SBASHK-ut.