Scholz: Nuk duhet të ketë vija të kuqe në luftën kundër koronavirusit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për fleksibilitet në marrjen e kundërmasave për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

“Nuk duhet të ketë vija të kuqe, kjo pandemi na e ka treguar vërtet këtë. Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të rimendojmë nëse rrethanat e kërkojnë këtë”, tha ai për ”Bild”.

”Duhet vepruar shpejt dhe me vendosmëri”, theksoi ai.

“Në mënyrë që spitalet të mund të ofrojnë mjaft shtretër të kujdesit intensiv, pavarësisht nga pacientët e shumtë Covid-19, ne sapo kemi vënë në dispozicion shumë para’”, shpjegoi Sholz.

“Ndalimi i fishekzjarreve në natën e Vitit të Ri synon gjithashtu të parandalojë më shumë njerëz të lënduar që të bëjnë presion shtesë në dhomat e urgjencës”, shtoi ai.

Scholz nuk e hodhi poshtë kategorikisht një bllokim të Krishtlindjeve.

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me këtë, ai tha se “qeveria federale dhe shtetet sapo kanë marrë masa shumë të rrepta. Ne do të kontrollojmë çdo ditë se si ato zbatohen dhe nëse janë të mjaftueshme”. /atsh