Sfida të mëdha për rindërtimin e forcave të armatosura siriane

Qeveria e re e përkohshme e Sirisë ka nisur procesin e rindërtimit të ushtrisë dhe forcave të sigurisë, një vit pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit, por përballet me sfida të mëdha politike, ushtarake dhe shoqërore.

Për dekada me radhë, aparati i sigurisë dhe ushtria siriane u perceptuan si mjete represive në shërbim të regjimit. Autoritetet e reja synojnë tani të krijojnë një ushtri profesionale, me doktrinë të re, ku besnikëria të jetë ndaj shtetit dhe jo ndaj individëve apo grupeve.

Ministri i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra, deklaroi se procesi i ristrukturimit ka filluar dhe se po ndërtohet një ushtri që përfaqëson Sirinë dhe është e aftë të përballet me sfidat e sigurisë. Ai theksoi se janë vendosur rregulla të reja disipline dhe se do të zhvillohen të gjitha degët e forcave të armatosura.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se rruga përpara do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Sfida kryesore mbetet integrimi i grupeve të armatosura të ndryshme në një ushtri të unifikuar, procesi i verifikimit (vetting) të rekrutëve, mungesa e oficerëve me përvojë, si dhe ndërtimi i besimit të komuniteteve pakicë.

Situata është komplikuar edhe më shumë nga sulmet ajrore izraelite, të cilat, sipas ushtrisë izraelite, kanë shkatërruar rreth 80 për qind të kapaciteteve strategjike ushtarake të Sirisë pas rënies së al-Assadit. Gjatë vitit të fundit, Siria është goditur qindra herë nga Izraeli.

Presidenti Ahmed al-Sharaa ka shpërbërë ushtrinë e vjetër dhe ka nisur bashkimin e fraksioneve anti-Assad në strukturat e reja të sigurisë. Por ekspertët paralajmërojnë se, nëse Siria nuk arrin të integrojë të gjitha forcat e armatosura dhe ish-grupet opozitare në një ushtri kombëtare, vendi rrezikon fragmentim dhe rikthim të dhunës.

Sipas analistëve, suksesi i forcave të reja të armatosura do të ishte kyç për stabilitetin politik, sigurinë e brendshme dhe për të hapur rrugën drejt investimeve dhe mbështetjes ndërkombëtare për Sirinë. /mesazhi