SHBA ka bërë të ditur se ka zbuluar se pesë njësi ushtarake izraelite kanë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut përpara nisjes së luftës së Izraelit në Gaza pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha se “katër nga këto njësi kanë korrigjuar në mënyrë efektive shkeljet”, duke shtuar se të gjitha incidentet ndodhën përpara 7 tetorit dhe asnjë nuk ndodhi në Rripin e Gazës, ku është fokusi i konfliktit që nga tetori i kaluar.
Ai shtoi se korrigjimi është në përputhje me atë që SHBA-ja pret të bëjnë partnerët e saj.
“Ne vazhdojmë të jemi në konsultime dhe angazhime me qeverinë e Izraelit. Ata kanë dorëzuar informacione shtesë në lidhje me atë njësi dhe ne po vazhdojmë t’i kemi ato biseda”, tha Patel.
Raportet e fundit të mediave amerikane kanë theksuar se Washingtoni po përgatitet të vendosë sanksione ndaj batalionit Netzah Yehuda të ushtrisë izraelite për shkeljet e të drejtave të njeriut kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.