SHBA, agjentja ruse dënohet me 18 muaj heqje lirie për komplot

Agjentja ruse Maria Butina është dënuar me 18 muaj heqje lirie për përpjekjet për të infiltruar qarqet konservatore për të avancuar interesat ruse, raporton Anadolu Agency (AA).

Shtetasja ruse, 30-vjeçarja Butina, u arrestua nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në muajin korrik dhe është mbajtur në paraburgim federal.

Në dhjetor, Butina deklaroi se ishte një agjente sekrete që punonte për të avancuar interesat e Kremlinit dhe ballafaqohej me dënim me burg deri në 5 vjet. Megjithatë, gjykatësja e Gjykatës amerikane, Tanya Chutkan, dha një dënim relativisht të lehtë.

Butina, një mbrojtëse e të drejtave të armëve dhe studente e diplomuar në Universitetin Amerikan, u pendua për krimin e saj dhe kërkoi shpirtbutësi gjatë seancës së sotme të dënimit.

Raportohet se koha që kaloi në paraburgim do t’i kompensohet, duke i mbetur edhe rreth 9 muaj që të vuaj dënimin prej 18 muajsh, ndërsa më pas do të dëbohet në Rusi.

Butina pranoi se që nga fillimi i vitit 2015 deri në muajin shkurt 2017 ka punuar për të mbledhur informacione për Alexander Torshin, një zyrtar rus dhe ish-ligjvënës, mbi Shoqatën Kombëtare të Pushkave dhe grupe tjera konservatore.

Ajo po ashtu pranoi se synonte krijimin e komunikimeve jozyrtare midis Torshin dhe qarqeve konservatore, që të njëjtat t’i përdor në dobi të Rusisë.