Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mbështetje nga Etiopia për krijimin e një force ndërkombëtare sigurie në Gaza pas luftës, raportojnë mediat.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga The Times of Israel, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka kërkuar personalisht kryeministrit etiopian Abiy Ahmed Ali që vendi i tij të shqyrtojë dërgimin e trupave për të qenë pjesë e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (ISF) në Gaza. Kërkesa thuhet se është bërë gjatë një bisede telefonike të nivelit të lartë.
Raportimet tregojnë se Uashingtoni po has vështirësi në gjetjen e vendeve të gatshme për t’u angazhuar në një mision pasluftës në Rripin e Gazës, ndaj po shikon drejt vendeve të Afrikës Lindore për ndihmë.
Forca e propozuar synon të mbikëqyrë një fazë tranzicioni që do të fokusohet në rindërtim dhe rimëkëmbje ekonomike. Kjo nismë është pjesë e një plani me 20 pika të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili shërben si bazë për armëpushimin aktual.
Lufta në Gaza ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe ka shkaktuar mbi 71 mijë viktima palestineze, kryesisht gra dhe fëmijë, mbi 171 mijë të plagosur, si dhe shkatërrimin e gati 90 për qind të infrastrukturës civile. /mesazhi








