SHBA-ja do të dërgojë më shumë trupa në Estoni

Hanno Pevkur

Shtetet e Bashkuara do të dislokojnë numër shtesë të pjesëtarëve të këmbësorisë në Estoni “gjatë javëve në vijim” me qëllim që të forcohet mbrojtja në krahun lindor të NATO-s, thanë zyrtarët e mbrojtjes së Estonisë.

Ky dislokim konsiston në një grup të këmbësorisë amerikane – një njësit që zakonisht përbëhet nga 80 deri më 250 ushtarë – u tha në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Estonisë. Së bashku me ushtarët do të dërgohen edhe sisteme raketore të lëvizshmërisë së lartë, të njohur si HIMARS, por edhe pajisje të tjera ushtarake.

“Ky vendim shënon një shtim të konsiderueshëm të pranisë ushtarake të SHBA-së në Estoni dhe në shtetet e Baltikut, duke dëshmuar përkushtimin afatgjatë të SHBA-së sa i përket sigurisë së rajonit tonë dhe njëkohësisht duke forcuar mbrojtjen e NATO-s”, tha ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur.

Javën e kaluar, Estonia – që gjendet në kufi me Rusinë – tha se do të marrë sisteme HIMARS për të forcuar kapacitetet e saj të mbrojtjes. Blerja e këtyre sistemeve është projekti më i madh i mbrojtjes i këtij shteti, që kap vlerën prej mbi 200 milionë dollarëve.

Përmes një deklarate të ndarë, Ambasada amerikane në Tallin tha se trupat amerikane janë pjesë e trupave të NATO-s që diskohen përmes rotacionit. Për dislokimin e këtij kontingjenti, NATO ishte pajtuar gjatë samitit të mbajtur më herët gjatë këtij viti në Madrid. /rel