SHBA-Kore e Jugut zgjerojnë manovrat e përbashkëta ushtarake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut do të zgjerojnë shkallën e aktiviteteve të tyre të përbashkëta ushtarake përballë kërcënimit të Koresë së Veriut, thanë udhëheqësit e vendeve në një deklaratë pas bisedimeve në Seul.

“Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe homologu i tij i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol kanë rënë dakord për të nisur diskutimet për të zgjeruar shkallën e stërvitjeve dhe manovrave të kombinuara ushtarake në Gadishullin Korean”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Manovra të tilla të përbashkëta ushtarake, sundimtari i Koresë së Veriut, Kim Jong Un i ka konsideruar si një provokim luftarak. Nga ana tjetër, Uashingtoni dhe Seuli e shohin programin e raketave dhe armëve bërthamore të Phenianit si një kërcënim.

Sipas një deklarate, Biden e siguroi Yoon se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për përdorimin e gamës së plotë të aftësive të saj të mbrojtjes, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes bërthamore, konvencionale dhe raketore.

Qëllimi i këtij aktiviteti është të parandalojë kundërshtarët e mundshëm, Korenë e Veriut, në këtë rast, nga nisja e një sulmi.

Rreth 28 000 ushtarë amerikanë janë të vendosur në Korenë e Jugut. /atsh