SHBA, mbi 124 mijë të vdekur nga COVID-19

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 124.308, prej të cilëve 808 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i rasteve pozitive me koronavirus në SHBA është rritur për 38.499, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2.463.923.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 1 milion të infektuar, ndërsa numri i personave të testuar ka arritur në më shumë se 30 milionë.

Shteti i New York-ut mbetet më i godituri në SHBA, me gjithsej 413.355 raste të konfirmuara dhe 31.346 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar Brazili me 1.193.609 raste, Rusia me 613.994 dhe India me 474.587 raste.