SHBA miraton shitjen e pajisjeve ushtarake prej 9,4 miliardë dollarësh Greqisë

Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi dje shitjen e katër anijeve luftarake me vlerë 6,9 miliardë dollarë për Greqinë, së bashku me transaksionet ekzistuese të modernizimit të fregatës me vlerë 2,5 miliardë dollarë.

Kostoja e vlerësuar prej 2,5 miliardë dollarësh do të mbulojë “shitje të mundshme ushtarake jashtë vendit” në Greqi për modernizimin e fregatës së kategorisë MEKO dhe pajisjeve përkatëse, ndërsa 6,9 miliardë dollarë të tjera do të ndahen për blerjen e katër anijeve luftarake sipërfaqësore shumëqëllimëshe (MMSC) dhe pajisjeve përkatëse, thuhet në dy deklarata të veçanta.

Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes dorëzoi certifikimin e kërkuar, duke njoftuar Kongresin për shitjen e mundshme të premten, shtohet në deklaratat me shkrim.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke ndihmuar në përmirësimin e sigurisë së një aleati të NATO-s, i cili është një partner i rëndësishëm për stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në Evropë”, thuhet më tej.

“Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Greqisë për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme duke ofruar një aftësi efektive parandaluese luftarake për të mbrojtur interesat detare dhe infrastrukturën në mbështetje të vendndodhjes së saj strategjike në krahun jugor të NATO-s”, u tha në deklarata.

Agjencia nënvizoi se blerjet do të “rrisin stabilitetin dhe sigurinë detare” në rajonin e Mesdheut Lindor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe objektivat strategjikë të NATO-s dhe SHBA-së.

“Greqia kontribuon në operacionet e NATO-s në Kosovë, si dhe në përpjekjet detare kundër terrorizmit dhe kundër piraterisë. Greqia nuk do të ketë vështirësi t’i tërheqë këto artikuj dhe shërbime në forcat e saj të armatosura”, thekson deklarata. /atsh