SHBA në gatishmëri për shkak të uraganit Florence

Reshjet e dendura dhe stuhia e shkaktuar nga uragani Florence në SHBA pritet të arrijë të shtunën në brigjet lindore ndërsa autoritetet janë në gatishmëri të lartë për të shmangur pasojat, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Qendra Kombëtare për Uraganin thuhet se reshjet e dendura dhe stuhia e fuqishme e shkaktuar nga uragani paraqet rrezik për jetën në zonat bregdetare të shteteve federale Karolina e Veriut dhe Karolina e Jugut.

Paralajmërohet se shpejtësia e stuhisë mund të arrijë në 128 kilometra në orë dhe se lartësia e valëve në oqean mund të arrijë deri në 4 metra për shkak të uraganit Florence.

Ekspertët njoftojnë se përkundër asaj që shpejtësia e uraganit ka rënë në kategorinë 2, parashikohet se ndikimi i tij në rajon ende mund të jetë shumë i madh.

– AA filmoi Karolinën e Veriut

AA filmoi gjendjen e fundit në Karolinën e Veriut, ku pritet që uragani të shkaktojë dëme të mëdha.

Në New Bern shumica e dyqaneve dhe pikave të karburantit janë të mbyllur ndërsa njerëzit kanë formuar radhë të gjata përpara dyqaneve ushqimore dhe pikave të karburantit, të cilat janë ende të hapura.

Në këtë qytet ku është shpallur gjendje emergjente për shkak të uraganit, edhe zyrat shtetërore janë të mbyllura. Në portën e postës në rajon është shënuar “Posta nuk do të jetë e hapur derisa të kalojë uragani Florence dhe deri kur të furnizohemi përsëri me energji elektrike”.

Për shkak të uraganit edhe në autostrada janë vendosur shënime paralajmëruese.