SHBA, përplasen dy avionë demonstrues në ajër – VIDEO

Dy avionë demonstrues të tipit Boeing B-17 dhe Bell P-63 janë përplasur në ajër në Teksas të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), incidenti ka ndodhur gjatë një shfaqjeje ajrore në Aeroportin “Executive” në qytetin e Dallasit.

Në pamjet e marra nga publiku dhe të shpërndara në rrjetet sociale, shihet se dy avionë demonstrues të tipit të vjetër rrëzohen në tokë pasi përplasen, duke shkaktuar zjarr.

Ndërsa më shumë se 40 zjarrfikës arritën për të ndërhyrë në vendin e ngjarjes, FAA tha se “nuk dihet ende se sa njerëz ishin në avionë”.

Raportohet se FAA dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTBS) po hetojnë përplasjen dhe se detajet rreth aksidentit do të ndahen më vonë.