SHBA po shqyrton rritjen e tarifave për veturat elektrike kineze

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden po e shqyrton mundësinë e rritjes së tarifave mbi disa produkte kineze, përfshirë automjetet elektrike, njofton gazeta amerikane Wall Street Journal (WSJ), duke u bazuar në burime të njohura me këtë çështje.

Eksporti kinez i automjeteve është rritur gjatë viteve të fundit, mbështetur nga kapaciteti i tepërt dhe kërkesa e ulët vendase në tregun më të madh botëror të veturave dhe pritet të rritet me 25 për qind vitin e ardhshëm, në 5.3 milionë automjete, njoftoi China Merchants Bank International.

Raporti i WSJ vjen pas kërkesës së muajit të kaluar nga një grup legjislatorësh amerikanë administratës së Bidenit për rritjen e tarifave mbi automjetet e prodhuara në Kinë dhe për hetimin e mënyrave për të ndaluar kompanitë kineze të eksportojnë në SHBA nga Meksika. Automjetet kineze janë aktualisht nën një tarifë prej 25 për qind, e vendosur gjatë administratës së ish-presidentit, Donald Trump, të cilën e vazhdoi pasardhësi i tij, Biden.

Qeveria aktuale po diskuton rreth tarifave nga periudha e administratës Trump, të vendosura mbi produkte kineze në vlerë rreth 300 miliardë dollarësh, me qëllim që të përfundojë një analizë të gjatë të këtyre tarifave në fillim të vitit të ardhshëm, shton WSJ.

Administrata e Biden gjithashtu po e shqyrton mundësinë e uljes së tarifave mbi disa produkte kineze për përdorim të gjerë që zyrtarët nuk i shohin si të rëndësishme strategjikisht, përfshirë rritjen e mundshme të tarifave mbi produktet në fushën e energjisë së pastër, shkruan gazeta amerikane.

Ndërkohë, Kina do të ndjekë me kujdes zhvillimet dhe do të ndërmerri masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj legjitime, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze në një konferencë të përditshme të shtypit të së mërkurës.

Zëdhënës i Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë amerikane, ashtu si dhe Këshillit për Sigurinë Kombëtare, nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesës së Reutersit për një koment.