Annelle Sheline, ish-zyrtare në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, ka akuzuar Uashingtonin se është bashkëfajtor në krimet që po kryhen në Gaza, jo vetëm përmes mbështetjes ndaj Izraelit, por edhe përmes pranisë direkte në terren.
Duke folur për Al Jazeera, Sheline theksoi se mercenarë amerikanë janë të pranishëm në Gaza si pjesë e Fondacionit Humanitar të Gazës – një organizatë e diskutueshme që vepron me mbështetje amerikane.
“Sipas denoncimeve të sinjalizuesve, këta amerikanë po qëllojnë mbi palestinezët që kërkojnë ndihma. Pra, nuk është vetëm qeveria izraelite apo ushtria izraelite që kryejnë këto krime,” tha ajo. Sheline është aktualisht studiuese në Quincy Institute for Responsible Statecraft.
Lidhur me propozimet për zhvendosjen e popullsisë palestineze nga Gaza, Sheline tha se presidenti amerikan Donald Trump duket se mbështet plotësisht atë që ajo e përshkroi si një plan për spastrimin etnik.
“Për fat të keq, Trump ka treguar shpërfillje totale ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe duket i përkushtuar pas këtij plani që synon t’i dërgojë palestinezët në kampe përqendrimi, për t’i zhvendosur më pas diku tjetër,” tha Sheline. /mesazhi





