Shefi i EULEX-it për shpërthimin në veri: Tregon se sa e paqëndrueshme është situata

Shefi i misionit EULEX në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se shpërthimi i mesnatës në veri të Mitrovicës tregon se sa e paqëndrueshme është situata në atë pjesë të vendit.

Të premten, gjatë mesnatës, një granatë dore shpërtheu në “Lagjen e boshnjakëve” në veri. Për të reagoi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili e lidhi shpërthimin me arrestimin e tre serbëve të dyshuar për krime lufte. Reagoi edhe ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, i cili kërkoi që autorët të sillen para drejtësisë.

Sipas Barbanos, incidentet e tilla tregojnë nevojën urgjente për shtensionim.

“Incidente të tilla tregojnë se sa e paqëndrueshme është situata dhe tregojnë nevojën urgjente për shtensionim. EULEX-i dënon çdo formë dhune si të papranueshme”, ka shkruar ai në Twitter.