Më shumë se 10.600 pacientë me probleme të rënda shëndetësore janë evakuuar nga Gaza që nga tetori i vitit 2023, por mijëra të tjerë mbeten të bllokuar pa qasje në kujdesin shpëtues jetësor, tha sot kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, transmeton Anadolu.
Në një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale X, Ghebreyesus tha se evakuimet e kryera nga OBSH-ja dhe partnerët e saj përfshinin më shumë se 5.600 fëmijë, të gjithë që kërkonin trajtim mjekësor kritik dhe të avancuar që nuk ishte i disponueshëm në Gaza.
“Megjithatë, shumë pacientë të tjerë mbeten në Gaza duke pritur evakuimin për të marrë kujdesin e duhur shëndetësor”, tha Ghebreyesus. Duke cituar shifrat nga Ministria e Shëndetësisë, ai tha se të paktën 1.092 pacientë vdiqën ndërsa prisnin për evakuim mjekësor midis korrikut 2024 dhe 28 nëntorit 2025.
Sistemi shëndetësor në Gaza është shkatërruar nga sulmet e vazhdueshme izraelite, mungesat e mëdha të ilaçeve dhe karburantit si dhe dëmtimet në spitale dhe infrastrukturën mjekësore, duke i lënë shumë pacientë të paaftë për të aksesuar kujdes të specializuar siç është trajtimi i kancerit, dializa ose kirurgjia komplekse.
OBSH-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se vonesat dhe kufizimet në evakuimet mjekësore po kushtojnë jetë, veçanërisht midis fëmijëve dhe pacientëve me gjendje kronike ose kërcënuese për jetën. Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve të pranojnë pacientë nga Gaza dhe kërkoi rivendosjen e evakuimeve mjekësore në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor.
– Fëmija i tretë vdes nga hipotermia
Zëdhënësi i UNICEF-it, Ricardo Pires u tha gazetarëve se tre fëmijë kanë vdekur nga hipotermia në Gaza për shkak të motit të keq dhe të ftohtë.
“Kemi parë raporte se në dhjetor, deri më tani, tre fëmijë kanë vdekur nga hipotermia, përfshirë dje, një foshnjë 29-muajshe që nuk mundi ta duronte sëmundjen, temperaturat e ftohta, mungesën e infrastrukturës mjekësore, ilaçeve dhe mbështetjes për ta ndihmuar të mbijetonte, kështu që foshnja vdiq nga hipotermia”, tha ai.
Zyra e medias qeveritare e Gazës e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për dështimin në përmbushjen e detyrimeve të tij sipas armëpushimit të 10 tetorit dhe protokollit të tij humanitar, përfshirë hyrjen e materialeve për strehim dhe shpërndarjen e 300 mijë tendave dhe shtëpive të lëvizshme për familjet e zhvendosura.
Izraeli ka vrarë gati 70.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171.100 të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023, përpara se sulmi të ndalej sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor.


