Shefi i OKB-së thirrje për uljen e tensioneve në Irak

Tensionet u përshkallëzuan në Irak ditët e fundit pas nominimit të Mohammed Shia al-Sudani-t si kryeministër i ri nga një koalicion grupesh të afërta me Iranin

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve irakiane që të zbusin situatën dhe të shmangin dhunën në vazhdën e tensioneve pas nominimit të kryeministrit të ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm, Farhan Haq, tha se shefi i OKB-së “po ndjek me shqetësim” protestat e vazhdueshme në Irak, në të cilat u plagosën shumë njerëz.

“Liria e shprehjes dhe tubimi paqësor janë të drejta themelore që duhet të respektohen në çdo kohë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi u bëri thirrje palëve dhe aktorëve irakianë “të tejkalojnë dallimet e tyre dhe të formojnë, nëpërmjet dialogut paqësor dhe gjithëpërfshirës, ​​një qeveri kombëtare efektive”.

Tensionet u përshkallëzuan në Irak ditët e fundit pas nominimit të Mohammed Shia al-Sudani-t si kryeministër i ri nga një koalicion grupesh të afërta me Iranin dhe protestave vijuese të mbështetësve të klerikut shiit me ndikim Muqtada al-Sadr.

Iraku ka qenë në ngërç politik për nëntë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të vendit në tetor 2021, të cilat u pasuan nga mosmarrëveshjet midis partive rivale për të formuar qeveri. /aa