Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së “nuk funksionon siç është menduar”, duke argumentuar se ky organ nuk pasqyron realitetet e botës së sotme dhe i mungojnë mekanizmat efektivë të llogaridhënies, transmeton Anadolu.
Duke folur në një panel gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kallas tha se rendi aktual global duhet të reformohet për të siguruar që asnjë vend të mos jetë mbi të drejtën ndërkombëtare.
Ajo theksoi se krizat e mëdha ndërkombëtare historikisht kanë çuar në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, por argumentoi se ajo që mungon aktualisht është llogaridhënia.
“Të gjithë i bashkohen Kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet janë aty. Por çfarë ndodh nëse dikush i shkel këto parime? Llogaridhënia qartazi nuk funksionon”, tha Kallas.
“Këshilli i Sigurimit (i OKB-së) nuk funksionon siç është menduar. OKB-ja nuk e pasqyrojnë botën ashtu siç është sot”, shtoi ajo.
“Nëse reformojmë, atëherë duhet të marrim parasysh botën ashtu siç është sot, ku të gjitha shtetet janë të barabarta dhe askush nuk është mbi ligjin”, tha Kallas, duke theksuar se edhe “vendet më të fuqishme” duhet të përballen me pasoja nëse shkelin rregullat e dakorduara.
Në përgjigje të një pyetjeje mbi shkeljet e përsëritura të armëpushimit nga Izraeli në Gaza dhe se kush do ta mbante përgjegjës, Kallas përsëriti thirrjen e saj për zbatim të barabartë të së drejtës ndërkombëtare.
Duke komentuar pyetjet mbi “Bordin e Paqes” për Gazën të udhëhequr nga SHBA-ja dhe të lidhur me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kallas tha se rezoluta origjinale parashikonte një mekanizëm të kufizuar në kohë dhe përfshinte pjesëmarrjen palestineze, ndërsa propozimet aktuale nuk i pasqyrojnë plotësisht këto elemente.
Megjithëse pranoi se shtetet e fuqishme shpesh kanë vepruar sipas rregullave të ndryshme, ajo argumentoi se bashkëpunimi dhe jo dominimi është ai që siguron forcë.
“Por edhe në xhungël, kafshët bashkëpunojnë, prandaj je më mirë kur punon me të tjerët”, tha ajo.
Duke bërë një krahasim midis fuqive të mëdha, Kallas theksoi se kur Rusia zhvillon luftëra, e bën këtë kryesisht e vetme për shkak të mungesës së aleatëve.
“Kur Amerika hyn në luftëra, shumë prej nesh shkojnë me ju dhe humbasim njerëzit tanë gjatë rrugës. Kjo do të thotë se edhe ju keni nevojë për ne për të qenë kjo superfuqi”, shtoi ajo.


