Mesniku është një traditë e vjetër e shumë zonave të Shqipërisë.
Ky byrek përgatitet duke kombinuar petët e pjekura me lëngun dhe mishin e pulës së detit.
Emri i këtij byreku vjen pikërisht nga emërtimi i pulës së detit.
Në zonën e Kolonjës ato quhen ndryshe Miska, dhe duke qenë se janë përbërësi thelbësor i kësaj recete, kështu mori emrin gatimi.
Përbërësit
- 1kg miell për të përgatitur petët e pjekura ose 2 pako me peta të pjekura të gatshme
- 1 pulë deti rreth 1.5 kg
- 4-5 vezë
- 100gr gjalpë i shkrirë
- Kripë
- Piper i zi
- 100 ml vaj ulliri për spërkatjen e petëve
Përgatitja:
- Fillimisht të lani pulën e detit me ujë të bollshëm.
- Më pas vendoseni në një tenxhere dhe mbusheni me ujë.
- Hidhni pak kripë dhe piper dhe vendoseni për ta zierë.
- Kur të shihni që formohet një shkumë në sipërfaqen e ujit mundohuni ta hiqni me një lugë.
- Lëreni mishin të ziejë mirë. Për ta kuptuar nëse mishi është gati, mjafton të prodoni nëse mund të shkëputet nga kocka.
- Pasi të ketë zierë mirë mishi i pulës së detit hiqeni nga tenxherja dhe lerëni të ftohet pak.
- Pastroni nga lëkura dhe kockat, dhe mishin ta coptoni.
- Në një tas rrihni vezët dhe shtoni ngadalë lëngun dhe mishin e pulës.
- Kini kujdes që të mos jenë shumë të nxehta pasi kështu do të priten vezët.
- Shtoni në fund dhe gjalpin e tretur dhe jepini shije me kripë dhe piper.
- Në një tavë hidhni pak vaj ulliri dhe lyeni mirë sipërfaqen e saj.
- Vendosni 2-3 petë të pjekura duke i lyer një e nga një me vaj.
- Hidhni pak nga mbushja që përgatitët dhe përsëritini këto hapa derisa të mbaroni petët.
- Spërkateni sipërfaqen e byrekut me pak vaj dhe piqeni në furrë me 180-190 gradë.
- Kur lëngu të jetë përtharë plotësisht dhe byreku të ketë marrë një ngjyrë të artë mund ta hiqni nga furra.
- Shërbeheni të ngrohtë duke e shoqëruar me sallata të freskëta ose me perime të ziera dhe kos./








