Shkolla e Kijevës e mirëpret mësuesen me mbulesë

Mësuesja me mbulesë, Fatmire Bujupi, dje e ka marrë orarin mësimor në shkollën “Lasgush Poradeci” në Kijevë të Malishevës, kurse sot pasdite ajo pritet të nisë mësimdhënien.

“Ajo sot pasdite nga ora 14:00 do ta fillojë mësimdhënien”, e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi drejtori i shkollës, Sami Toplana.

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim ndaj saj, duke shtuar se kolegët e kanë mirëpritur.

“Nuk ka ndonjë reagim deri më tash. Prej kolegëve është pritur mirë”, ka shtuar ai.

Ndaj kësaj situatë, sipas drejtorit, nuk ka pasur asnjë pakënaqësi as nga këshilli i prindërve. Madje ai thotë se e kanë pëlqyer zgjidhjen e këtij problemi në këtë mënyrë.

Fatmire Bujupi, mësuesja me mbulesë, e cila nuk ishte mirëpritur në shkollën fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës, drejtoria për Arsim e komunës ishte detyruar të bëjë zgjidhje.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, ka thënë për Gazetën Insajderi se transferimi nuk ka qenë problem, pasi që, të dy kandidatët kanë konkurruar në të dy shkollat.

“Të dy këta persona kanë qenë të pranuar në këtë konkurs, dhe të dytë kanë konkurruar edhe në Kijevë, por edhe në Drenoc. Kështu që, nuk ka pasur ndonjë problem”, ka thënë Paçarizi.

Sipas tij, transferimi është bërë me pajtimin e të dy kandidatëve, por edhe të shkollave.

“Me kërkesë të vetë mësueses, e kemi bërë një transferim brenda shkollave të komunës sonë. Prej shkollës së Drenocit e kemi dërguar në shkollën “Lasgush Poradeci” në Kijevë. Ndërsa mësimdhënësi që ka qenë në “Lasgush Poradeci” e kemi dërguan në Drenoc”, ka shtuar zëdhënësi i komunës së Malishevës, Artan Paçarizi.

Gazeta Insajderi i ka telefonuar mësueses Fatmire Bujupit, për ta marrë qëndrimin e saj për krejt këtë situatë, por ajo nuk u është përgjigjur thirrjeve. Fatmira është mësuese e matematikës.

Për më tepër, krejt kjo situatë kishte nisur kur 220 nxënësit e shkollës fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës, kishin bojkotuar mësimin pasi prindërit ishin ankuar ndaj mësueses më mbulesë.

Kërkesa e prindërve të nxënësve në shkollën fillore në Drenoc, kishte ngjallur reagime të mëdha në të gjithë Kosovën, duke rihapur edhe njëherë temën e shamisë në shkollat e Kosovës.

Edhe Ipeshkvia e Kosovës kishte dalë në mbrojtje të mësuese Bujupi.