Shkup, organizohet program i leximit të Kuranit dhe lutjeve me rastin e 15 Korrikut

Nën përkujdesjen e Ambasadës së Turqisë në Shkup, Konsulenca e Shërbimeve Fetare pranë ambasadës në partneritet me Bashkësinë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, organizuan program të leximit të Kuranit dhe lutjeve me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi, që paraqet përvjetorin e tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016, raporton Anadolu Agency (AA).

Në programin e organizuar pas namazit të akshamit në Xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, ushtruesi i detyrës kryetar i BFI-së, Shaqir Fetahu, këshilltari i Shërbimeve Fetare, Murat Alkan, myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, muezini i Xhamisë, Ahmet Hamdi Akseki në Ankara, Hasan Köylü, imami i kësaj xhamie, Mansur Sağır, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke si dhe shumë qytetarë.

Në fjalën e tij, Fetahu tha se sonte janë mbledhur për të përkujtuar ata të cilët dhanë jetën për besimin dhe atdheun e tyre.

Fetahu theksoi se dëshmorët e 15 Korrikut dhanë jetën në një kohë kur shteti i Turqisë, populli i Turqisë dhe bota muslimane kishin më së shumti nevojë.

“E mbrojtën nga njerëz të cilët nuk e donin Turqinë të fortë ekonomikisht, politikisht dhe fetarisht. (Sipas tyre) Turqia duhej të shkatërrohej sepse ishte model, shembull i zhvillimit ekonomik, politik dhe fetar. Duhej të shkatërrohej sepse inspironte të gjithë popujt e botës që ishin të robëruar për t’u çliruar nga zgjedhat dhe sundimet e tyre. Sepse ishte model edhe për popujt e Ballkanit”, tha Fetahu.

Fetahu shtoi se megjithatë, komplotistët harruan se Turqia ka dy shtylla të forta, një lider si presidenti Recep Tayyip Erdoğan i cili zhvillon Turqinë dhe ndihmon botën, dhe populli turk, që ndihmon krerët, atdheun dhe besimin e tij.

Ai theksoi se Turqia është një vend që ndihmon gjithë popujt e botës pa dallim përkatësie kombëtare dhe fetare.

Ndërkaq, këshilltari Murat Alkan tha për AA se është e nevojshme që dëshmorët e 15 Korrikut dhe nata e tentativës për grusht shteti duhet të përkujtohen përgjithmonë.

Sipas tij, sot është një ditë e rëndësishme që bashkatdhetarët këtu dhe bashkëfetarët ta kuptojnë dhe kujtojnë dhimbjen e përjetuar në Turqi më 15 korrik dhe për të treguar se janë në anën e Turqisë.

“Dua të falënderoj të ftuarit që erdhën në këtë program nga larg apo afër dhe i lutem Allahut të Madhëruar të mos lejojë përsëritjen e një 15 Korriku tjetër dhe që ne gjithmonë së bashku t’i tejkalojmë këto ditë në unitet”, theksoi Alkan.

Pas leximit të Kuranit dhe ilahive, programi përfundoi me një lutje të këshilltarit të Shërbimeve Fetare, Murat Alkan.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan tentativën e dështuar për grusht shteti më 15 korrik 2016 nga e cila jetën humbën 251 njerëz dhe afro 2.200 u plagosën.