Drejtori ekzekutiv i OpenAI dhe krijuesi i ChatGPT, Sam Altman, ka deklaruar se mund të ketë njëfarë të vërtete në të ashtuquajturën “teoria e internetit të vdekur”.
Kjo teori konspirative pohon se shumica e përmbajtjes dhe e personave të supozuar në internet, në fakt, gjenerohen automatikisht nga kompjuterët, dhe se interneti në thelb është “i vdekur”.
Edhe pse kjo teori është kundërshtuar shumë herë, zhvillimi i vrullshëm i sistemeve të inteligjencës artificiale në vitet e fundit, si dhe dështimet për të frenuar ‘botët’ në platforma si X (ish-Twitter), kanë bërë që kjo ide të fitojë gjithnjë e më shumë besueshmëri.
Tani edhe vetë Altman, ndonëse më parë skeptik, ka pranuar se ndoshta ekziston një farë e vërtete në të.
“Asnjëherë nuk e kam marrë shumë seriozisht teorinë e internetit të vdekur, por duket se ka me të vërtetë shumë llogari në Twitter që menaxhohen nga LLM-të”, ka shkruar ai.
LLM-të, apo modelet e mëdha gjuhësore (Large Language Models), janë teknologjia që fuqizon ChatGPT dhe mjete të ngjashme si Claude nga kompania Anthropic.
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të forta nga përdoruesit, shumë prej të cilëve theksuan se vetë pozita e Altmanit si drejtues i OpenAI kontribuon drejtpërdrejt në problemin për të cilin ai po paralajmëron.
Lëshimi i ChatGPT për përdorim publik në fund të vitit 2022 hapi dyert për krijimin e shumë sistemeve të ngjashme, gjë që ua ka bërë më të lehtë si përdoruesve të mirë, ashtu edhe atyre me qëllime të këqija, të gjenerojnë automatikisht përmbajtje dhe postime në platformat online.
Disa sugjeruan gjithashtu se postimi i Altman mund të ketë lidhje me punën e tij në projektin World Network, i njohur më parë si Worldcoin, të cilin ai e themeloi në vitin 2019.
Kjo kompani pretendon se po zhvillon një mënyrë për të verifikuar identitetin e vërtetë të njerëzve në internet përmes skanimit të syve — gjë që promovojnë si një zgjidhje për të luftuar ndikimin e sistemeve të drejtuara nga inteligjenca artificiale.








