Shokuese në Gjermani, parandalohet grushti i shtetit

Opinioni gjerman është tronditur, orët e fundit, nga lajmi i arrestimit të të paktën 25 personave në të gjithë Gjermaninë që akuzohen se po organizonin një grusht shteti të mirëfilltë. Në operacion u përfshinë rreth 3 mijë anëtarë të policisë gjermane.

Politikanë, gjykatës, eksponentë të forcave speciale gjermane, të gjithë së bashku me objektivin për të përmbysur qeverinë e kryeministrit Olaf Scholz, që dje ndodhej në Tiranë në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, por në përgjithësi edhe rendin demokratik të atij vendi.

Personat e arrestuar, sipas burimeve, bëjnë pjesë në një grup të së djathtës ekstreme, ku mes tyre figurojnë edhe ish-ushtarakë. Ata kishin planifikuar rrethimin dhe pushtimin e Parlamentit federal.

Të dyshuarit, rreth 50 në total, i përkasin lëvizjes Reichsbürger (Shtetasit e Rajkut) dhe një nga figurat e spikatur mendohet se është një aristokrat gjerman, që donte të rikthente qeverinë në politikat konservatore, duke mos njohur parlamentarizmin modern.

Mijëra policë ku u përfshinë forcat speciale kanë sekuestruar dokumente dhe armë në më shumë se 137 godina të ndryshme në gjithë Gjermaninë, nga Berlini e deri në Bavari, por edhe në Perugia të Italisë.

Midis të arrestuarve, politikanë të partisë së djathtë Afd, një shtetas i identifikuar si princi Heinrich XIII, një gjykatëse në Berlin, dhe të tjerë ende të paidentifikuar.

Lajmi u komentua nga ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, në një postim në Twitter ku foli për një operacion antiterrorizëm që planifikonte një “sulm të armatosur kundër institucioneve”, dhe që parashikonte vrasjen e të gjithë atyre që do t’i kundërviheshin.