Shoqëria e mirë

Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shikojë njeriu se kë ka për shok”.

Sado i aftë të jetë njeriu, sado i pasur apo i zgjuar që të jetë, ai ka nevojë për shokë, për miq e për shoqëri. Ai ka nevojë për shokë që këshillojnë, për miq që e ndihmojnë, për shoqëri që i gjendet pranë kur ai ka nevojë. Njeriu nuk jeton dot i vetëm. Prandaj thonë, që dënimi më i madh, që mund t`i bësh ndonjë njeriu, është që ta izolosh atë.

Njeriu në gjuhën arabe quhet INSAN dhe kuptimi i kësaj fjalë është I SHOQËRUESHËM. Madje as shejtani nuk rri dot vetëm. Kur Allahu (xh.sh) e mallkoi atë dhe e caktoi që do të ishte nga banorët e xhehenemit, ai tha: “O Zot më ler të bëj shokë në dynja dhe në ahiret”. Allahu (xh.sh) i tha: “Ti do të bësh shumë shokë, përveç besimtarëve, sepse ata nuk mund t`i kesh shokë”. Shejtani i devijon shokët e tij në këtë dynja dhe i ka bashkëvuajtës të tij në zjarrin e xhehenemit.

Ne nuk do të flasim për shoqërinë në përgjithësi, se askush nuk është i vetëm në këtë botë, por duam të flasim për shoqërinë e mirë, për ndikimin e saj, për këtë dhunti të Allahut (xh.xh). A e ndjejmë këtë dhuratë që na ka dhënë Zoti i gjithësisë?!

Flasim për këtë shoqëri, se për këtë u lut Ademi (a.s) edhe pse Zoti e krijoi në mes të xhenetit. Thonë që Ademi e ndjeu veten të mangët, e ndjeu veten bosh dhe iu lut Allahut (xh.xh) t’i bëjë një shok, t’i bëjë një shoqërues dhe Allahu i bëri bashkëshorten e tij, Havanë.

Për shoqërinë e mirë u lut Musai (a.s), kur Zoti e dërgoi te faraoni. Musai (a.s) tha: “O Zot unë jam i vetëm, më mundëso që të kem një shok me vete”. Atëherë Allahu (xh.sh) i dha Harunin (a.s).

Për shoqërinë e mirë u lut profeti Muhamed (a.s) dhe Allahu (xh.sh) i dha shumë shokë e më të mirët prej tyre ishin Ebu Bekri (r.a) dhe Umeri (r.a). Ai i përqafonte ata të dy, vinte njërën dorë mbi supin e njërit dhe dorën tjetër tek supi i tjetrit dhe thoshte: “Kështu siç na ka bashkuar Allahu në dynja, kështu do të ringjallemi në jetën tjetër”.

Për këtë shoqëri lutemi edhe ne, pavarësisht se ndoshta nuk e ndjejmë diçka të tillë, por për çdo namaz ne themi: “Ihdinas Siratal mustekim – na udhëzo ne në rrugën e drejtë”. Po kush është “Ne”, sepse ndodh që ti falesh i vetëm?! Ata janë të gjithë muslimanët. Feja nuk shijohet pa shokë, dynjaja nuk shijohet pa shokë, madje edhe xheneti nuk shijohet pa shokë.

Shoqëria ndikon shumë tek njeriu. Për këtë mjafton të pyesim ata prindër, fëmijët e të cilëve kanë marrë rrugën e së keqes, rrugën e drogës, prostitucionit e alkoolit. Pjesa më e madhe e këtyre prindërve thonë: “Vallahi e kam pasur djalin shumë të mirë, por e prishi shoqëria”. Kjo është e vërtetë, pasi pjesën më të madhe të njerëzve i prish shoqëria e keqe. Nëse do të bësh mirë në një shoqëri të tillë, nuk të lenë shokët. Nëse do të ikësh, përsëri nuk të lenë shokët e kështu me radhë.

Nga ana tjetër edhe shoqëria e mirë ndikon për mirë. Pyeti ata njerëz, që Zoti ua hapi zemrën, pasi e kishin të mbyllur, ua ka hapur sytë pasi ishin të verbër, i nxori në jetë pasi ishin drejt vdekjes. Do të shikosh, se këta njerëz e falenderojnë Allahun (xh.sh), që iu ka dhënë shokë të mirë, të cilët e kanë mbajtur për krahu dhe nuk e kanë lënë të rrëzohet poshtë. Të gjithë kemi qenë gabimtarë, por Allahu (xh.sh) na dha shokë të mirë, të cilët u bënë sebep, që ne të afrohemi tek madhështia e Zotit dhe t`u largohemi gjynaheve.

Dikush vrau 100 vetë, por u pendua dhe kërkoi këshillën e një njeriu të mirë. Dikush i tha: “Mos rri në këtë vend. Këtu nuk mund të bëhesh njeri i mirë, sepse shoqëria është e keqe, por shko tek ai fshati atje tej, se atje ka njerëz të mirë dhe do të të ndihmojnë”. Kjo ishte këshilla më e vyer për këtë njeri. Ai niset për tek ai fshat, por rrugës i vjen vdekja. Pati debat mes melekëve të mëshirës dhe të dënimit se kush do ta merrte dhe pasi matën rrugën, ai shpëtoi sepse kishte qenë më afër fshatit ku kishte njerëz të mirë.

Shoqëria e mirë është dhunti prej Zotit të gjithësisë. Për këtë duhet ta falenderojmë Allahun natë e ditë. Ne e falenderojmë Zotin për shëndetin që na ka dhënë, për fëmijët, për pasurinë, për të mirat, por vetëm pak njerëz e falenderojnë Zotin për shoqërinë që u ka dhënë. Shoqëria e mirë është rrizk dhe bereqet prej Allahut (xh.sh). Profeti (a.s) ka thënë: “Atij njeriu që Zoti ia do të mirën, i jep një shok të mirë. Ai të kujton kur ti harron, ai të ngre kur ti rrëzohesh, të drejton kur ti devijon”. Shoku i mirë është si puna e pasqyrës. Ti qëndron para saj, rregullon veten tënde dhe i heq të metat nga fytyra jote. Kështu është edhe shoku i mirë. Ai është si dora, që ndihmon shoqen e saj e të dyja bashkë lajnë fytyrën. Ndërsa shoku i keq të shkatërron, edhe pse ti nuk e ndjen diçka të tillë.

Vëllezër! Vallahi duhet ta falenderojmë Allahun (xh.sh) natë e ditë për shoqërinë që na ka dhënë, se është dhuratë e madhe, e cila nuk blihet me para.

Shoqëria mes muslimanëve është shoqëri pa interesa. Ne e ndihmojnmë njëri – tjetrin vetëm për hir të Zotit. Është e habitshme kur shikon, sesi vëllai yt musliman vjen e të ndihmon, atëherë kur nuk i ke kërkuar ndihmë, vjen e të rri pranë atëherë kur s`ta pret mendja. Ai lodhet e punon për ty, sepse kështu fiton xhenetin.

A ka shoqëri të tilë në botë?! Sot nuk ka shoqëri pa interesa, përveç asaj shoqërie që është ndërtuar mbi bekimin e Allahut (xh.sh), sepse unë kërkoj xhenetin kur të ndihmoj ty dhe anasjelltas. Kjo është shoqëri dhe rrugë për xhenet, jo vetëm për jetën tjetër, por edhe për këtë jetë. Sot janë të rrallë ata njerëz, që lidhen me njëri – tjetrin pa pasur asnjë interes. Ne muslimanët kemi vetëm një interes të përbashkët e ai është xheneti i Allahut (xh.sh).

Profeti (a.s) tregon: “Një njeri e donte shokun e tij pa pasur kurrfarë interesi. Një ditë ai niset të shkojë për t`i bërë një vizitë atij. Rrugës takon një melek në formën e një njeriu, i cili e pyet: “Për ku po shkon o njeri”? “Po shkoj të vizitoj vëllain tim për hir të Allahut” – përgjigjet burri. Meleku vazhdon: “A mos ke ndonjë interes, tregti apo lidhje familjare me të”? Burri përgjigjet: “Vallahi nuk kam asnjë interes, as ndonjë tregti e as nuk kam lidhje familjare me atë person, por po shkoj ti bëj një vizitë vetëm për hir të Allahut (xh.sh)”. Atëherë meleku i thotë: “Unë jam meleku i Zotit. Më ka dërguar Allahu (xh.sh) që të të them, se Allahu (xh.sh) të do ty, siç e deshe ti vëllain tënd”. Kjo është shoqëria për hir të Allahut (xh.sh).

Madje edhe në xhenet nuk do të hyjmë të vetëm por bashkë me vëllezërit tanë. Zoti nuk i fut besimtarët në xhenet tek e tek, por të gjithë bashkë të kapur dorë për dore. A e imagjinon këtë kënaqësi kur Allahut (xh.sh) të thotë: “Futuni o besimtarë dorë për dore të gjithë në xhenet”. Allahu (xh.sh) kënaqet kur i shikon robërit e Tij, që hyjnë në xhenet të lidhur me njëri – tjetrin, siç ishin të lidhur në dynja. Kjo lloj shoqërie të shoqëron deri në xhenet. Ajo shoqëri që të le që në këtë dynja, është shoqëri për interes apo për diçka tjetër, por nuk është shoqëri, të cilën e ka bekuar Allahu (xh.sh).

Profeti (a.s) ka thënë: “Ditën e Gjykimit do të ketë njerëz, që janë ulur në podiume prej drite rreth Arshit të Allahut (xh.sh). Fytyrat e tyre do të jenë dritë. Nuk janë as profetë e as dëshmorë, por profetët dhe dëshmorët i kanë zili këta njerëz. Ata janë njerëz, që e kanë dashur njëri – tjetrin për hir të Allahut (xh.sh)”.

Kurse shoqëria e keqe të shkatërron, duke të tërhequr çdo ditë nga e keqja dhe ti nuk mund të dalësh nga ai rreth i mbyllur, sepse nuk mund të largohesh nga shokët e këqinj. Shumë njerëz kanë qenë shumë afër të vërtetës, por është bërë shkak një shok i keq, që e ka tërhequr tek e keqja. Shumë të tjerë e duan të mirën. Nse i pyet këta njerëz, ata thonë: “Vallahi e duam të mirën, por nuk mund të ndryshojmë dot”. Ata e thonë këtë, sepse e keqja i ka rrethuar nga të katër anët.

Tregohet për Ukbe Ibn Rebian, një person që i lindi në zemër për të pranuar Islamin. Ai u nis për tek profeti (a.s), që të pranonte Islamin. Nëse do të shkonte në Medine tek profeti (a.s), ajo do të ishte dita me fatlume e jetës së tij, por për fat të keq ajo kishte qenë dita më e keqe e jetës së tij. Ai kishte një shok shumë të keq, Ebu Xhehlin, simbolin e armikut të Allahut dhe të profetit të Tij. Ai takohet me Ebu Xhehlin, i cili e pyet: “Për ku je nisur o mik i vjetër”? Ukbe përgjigjet: “Jam nisur për në Medine të takoj Muhamedin (a.s), sepse dua të bëhem musliman”. Ebu Xhehli ia kthen “Nëse shkon atje, mos fol kurrë më me mua dhe mos më dil më përpara”. Ukbe Ibn Rebia mbeti keq. Ai ishte mes shoqërisë së vjetër të Ebu Xhehlit, apo shoqërisë së re të Muhamedit (a.s). Zemra e tij anoi nga shoqëria e vjetër. Kështu ai zgjodhi shoqërinë e Ebu Xhehlit dhe ashtu siç qëndroi me të në këtë dynja, ashtu do të jetë në shoqërinë e tij, në zjarrin e xhehenemit në Ahiret. Kjo është shoqëria e keqe.

Allahu (xh.sh) tregon për një nga banorët e xhenetit, i cili kishte pasur një shok të ngushtë, por nuk e kishte besimin njësoj si shoku i tij. Këtë e futi Zoti në xhenet, ndërsa shokun e tij e futi Zoti në zjarr. Pasi u rehatua mirë e mirë, i vajti mendja tek shoku i tij dhe i kërkon leje Allahut, që ta shikojë shokun e tij. Melekët e nxjerrin këtë person në ballkonet e xhenetit dhe ai shikon shokun e tij diku atje në mes të zjarrit të xhehenemit, që po vuante dënimin e tij. Ky njeri fillon të qajë dhe thotë: “Ti ishe shoku im i ngushtë. A e shikon ku të kanë çuar këshillat e tua që më thoshe: “Lëre Zotin, lëre namazin, lere të mirën, se nuk të duhet ajo punë”. “Më paska dashur shumë Allahu (xh.sh) që nuk më bëri si ti. Po të mos ishte mëshira e Zotit dhe udhëzimi i tij, do të isha bashkë me ty në zjarrin e xhehenemit”.

Me këtë që thamë kemi dy qëllime:

1- Qëllimi i parë: A e kërkojmë shoqërinë e mirë, siç kërkojmë rrizkun tonë? Shoku i mirë është xhevahir, është dhuratë prej Allahut (xh.sh) sidomos në këtë kohë kur e keqja është shtuar në masë. Ky shok të ndihmon e të gjendet gjithmonë pranë. Falenderoje Allahun (xh.sh) për këtë shoqëri. Bëhu shok i mirë dhe mbaje shoqërinë e mirë. Mos e prish shoqërinë tënde për pak e për shumë. Mos u bëj cinik e as egoist. Munde veten tënde, se këta njerëz nuk do t`i gjesh shumë kollaj.

2- Qëllimi i dytë: Të shikojmë se me kë shoqërohen fëmijët tanë. Nëse fëmija yt shoqërohet me njerëz të mirë, më fëmijë të mirë, do të të lehtësohet gjysma e punës. Por nëse fëmija shoqërohet me shokë të këqinj, do të të dalë nga duart e do vijë një moment, që do mallkosh ditën, që e le fëmijën tënd të rrijë me atë shok, sepse ai e humb fëmijën tënd. Sot e keqja është shtuar më shumë se kurrë më parë, prandaj le të kërkojmë shokë për fëmijët tanë. Për këtë qëllim lidhi fëmijët e tu me fëmijët e besimtarëve. Le të bëhen si tullat e ndërtesës, që mbajnë njëra – tjetrën.

Më mbyllje po tregojmë një fjalë shumë të shkurtër të profetit (a.s), që ia kalon çdo fjalimi sado të gjatë. Profeti (a.s) ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë është si puna e shitësit të parfumeve. Shitësi i parfumeve dhe sikur të mos ta japë një parfum për dhuratë, ai nuk të bën keq dhe nuk i vjen erë e keqe. Më e pakta që mund të përfitosh prej tij do të jetë se edhe ty do të të vijë era parfum, erë e mirë. Ndërsa shembulli i shokut të keq është si puna e farkëtarit. Nëse nuk ta djeg rrobën me zjarr, ai të le erën e keqe të tymit”.

Pyesim veten, se ku janë shokët e mirë. Vallahi ka njerëz të mirë edhe pse ndoshta nuk janë në xhami. Kërkoji këta njerëz. Bëhu shkak që këta njerëz të drejtohen, që ti kesh shokë të mirë. Njerëz të mirë ka sa të duash, por duhen kërkuar.

Nga ana tjetër nuk bëjmë thirrje që të shkëputemi nga shoqëria jonë, sepse qenka e keqe. Ne duhet të kemi marrëdhënie me ta, sepse Allahu (xh.sh) të ka krijuar mes këtyre njerëzve. Duam apo nuk duam ne, nuk mund ta bëjmë jetën të vetmuar. Përveç kësaj nëse ti nuk u flet për të mirën, nuk i udhëzon tek e mira, kush do ta bëjë. Nëse e mira nuk bën përpjekje për ta ndryshuar të keqen, e keqja do të shtohet gjithnjë e më shumë. Le ta lusim Zotin, që të na takojë me njerëzit e mirë ashtu siç lutej profeti (a.s): “O Zot me drejto tek njerëzit më të mirë”. Allahu (xh.sh) i tha: “Mos e largo shikimin nga ata të mirët edhe pse janë fukarenj”.

Le t`i mbajmë lidhjet me të gjithë njerëzit, por ama kurrë nuk duhet ta shesim shokun e mirë, por ta kërkojmë e kur ta gjejmë duhet ta mbajmë fort atë, sepse është shok për dynja e për ahiret. Ditën e Gjykimit do të zhduken të gjitha shoqëritë e do të mbetet vetëm shoqëria e atyre, që janë dashur për hir të Allahut (xh.sh).

E lusim Allahun (xh.sh) të na japë një shoqëri të mirë e të na bëjë shokë të mirë. E lusim Allahun (xh.sh) t`i ruajë fëmijët tanë nga shoqëria e keqe e t`i udhëzojë ata për mirë. Lusim Zotin t`i lidhë zemrat tona vetëm për hir të Madhështisë së Tij e na mundësoftë që të jemi të gjithë bashkë në xhenetet e Tij.

A M I N

/ardhmeria