Neglizhenca e qeverive qendrore dhe lokale në Rumani ka detyruar shoqërinë civile dhe organizatat bamirëse në vend që të organizohen duke mbledhur donacione me qëllim ndërtimin e spitaleve dhe rrugëve të reja. Edhe pse Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion një fond prej 22 miliardë eurosh për të përmirësuar infrastrukturën e vendit, qeveria e majtë rumune refuzon t’i përdorë ato. Sipas saj, zhvillimet infrastrukturore në vend duhet të ndodhin nëpërmjet partneritetit publik-privat.
Të lodhur nga premtimet e pambajtura të qeverisë, disa organizata të shoqërisë civile në Rumani kanë nisur të mbledhin donacione për të ndërtuar rrugë e spitale të reja me fondet e veta.
Brenda pak javëve, një organizatë bamirëse e cila ndihmon pacientët e vegjël që vuajnë nga sëmundje të rënda ka arritur të grumbullojë rreth 5 milionë euro për financimin e spitalit të parë tërësisht me donacione private.
Oana Georgiu, përfaqësuesja e organizatës “Dhuro një jetë”, tregon se puna për ndërtimin e spitalit ka nisur prej një viti.
Oana:“Kur sheh sa shumë njerëz duan të dhurojnë paratë e tyre për të ndërtuar një spital, kupton se ka diçka që nuk shkon. Dhe për më tëper, këto para i dhurohen një organizate joqeveritare. Është jonormale që një OJQ të ndërtojë spitalin e parë pas 20 vjetësh. Populli po i jep një shuplakë shtetit rumun, se nuk po e bën punën që i është ngarkuar.”
Në vitin 2014, autoritetet vendase premtuan se do të ndërtonin katër spitale të reja rajonale, por tashmë data e ndërtimit të spitalit të parë është shtyrë në vitin 2022.
Qeveria aktuale e krahut të majtë politik ka theksuar se ndërtimi i spitaleve duhet të ndodhë nëpërmjet partneritetit publik-privat, duke mos pranuar të përdorë rreth 22 miliardë euro fonde që Bashkimi Europian i ka akorduar vendit për përmirësimin e infrastrukturës.
Vitin e kaluar, qeveria rumune arriti të ndërtojë vetëm 24 kilometra rrugë ndërqytetëse në të gjithë vendin, çka detyroi banorët e zonave rurale që të mbledhin donacione vullnetare për t’i ndërtuar vetë rrugët e tyre.
/Ora News.tv/




