Short i vështirë për Dritën, Gjilanin dhe Dukagjinin në rrethin e dytë të Conference League

Skuadra e Dritës që garat e UEFA-s do t’i nisë nga rundi i dytë i Ligës së Konferencës, është njoftuar me kundërshtarin e saj pas shortit të tërhequr të mërkurën.

Në rundin e dytë të kësaj gare, Drita do të përballet me ekipin nga Çekia, Viktoria Plzen.

Drita nuk ishte bartëse në short dhe ndeshjen e parë do ta luajë në udhëtim, përpara se duelin e kthimit ta zhvillojë në Kosovë.

Ndeshjet e para të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, do të zhvillohen më 27 korrik, ndërsa ato të kthimit më datën 3 gusht.

Krahas Dritës, në garat e Ligës së Konferencës do të paraqiten edhe Gjilani e Dukagjini, skuadra që rrugëtimin evropian e nisin prej rundit të parë kualifikues.

Edhe Gjilani e Dukagjini janë njoftuar me kundërshtarët e rundit të dytë. Nëse Gjilani avancon në rundin e dytë të Ligës së Konferencës, do të përballet me Midtjyllandin e Danimarkës, ndërsa Dukagjini do të ketë punë me Rijekën e Kroacisë.

Në rundin e parë, Gjilani do të luajë kundër ekipit Progres Niederkorn të Luksemburgut kurse Dukagjini do të përballet me Europa FC të Gjibraltarit.