Shpërthim pranë Ambasadës së SHBA-së në Pekin

Një shpërthim i fuqishem është regjistruar jashtë Ambasadës së SHBA-së në Pekin.Njerëzit, dëshmitarë në vendngjarje, kanë ndarë në mediat sociale foto dhe video nga pasojat e shpërthimit.

Një shpërthim tronditi Ambasadën amerikane në Pekin, Kinë. Siç raportohet nga disa dëshmitarë, një burrë u përpoq të hidhte një bombë arizanale mbi gardhin e ndërtesës, por i shpërtheu në duar. Kishte vetëm një të plagosur, burri që shpërtheu pajisjen.

Video dhe imazhet e publikuara në mediat sociale shfaqin tymin që ngrihet nga afërsia e Ambasadës, në zemër të kryeqytetit kinez, teksa turmat e njerëzve shihen të grumbulluar.

Global Times ka shkruar në Twitter se banorët vendas dëgjuan një “zhurmë si bubullimë” rreth orës  13:30 me kohën lokale.

Stephen McDonell i BBC  duke raportuar nga vendi i ngjarjes tha se Ambasada ka rifilluar aktivitetin e saj normal, me njerëz që presin në rradhë për të aplikuar për viza.

Kishte njoftime të mëparshme se policia kishte ndaluar një grua që ishte përpjekur të vinte zjarrin pranë Ambasadës në orën 11:00 me orën lokale, disa orë përpara shpërthimit të raportuar.

Është e paqartë nëse dy incidentet janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Ambasada  e SHBA-së është e vendosur në rrethin e Chaoyang të Pekinit, në Kinë. Ambasadat e Izraelit dhe të Koresë së Jugut janë gjithashtu afër saj.