Shpëtohen 368 migrantë në brigjet e Marokut

Njësitë e Rojës bregdetare të Marokut njoftuan se kanë shpëtuar 368 migrantë të parregullt, shumica e të cilëve me origjinë nga Afrika, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të lajmeve të Marokut, MAP, të bazuar në një zyrtar, njësitë e Rojës bregdetare më 20-23 korrik kanë shpëtuar 368 migrantë të parregullt.

Migrantët e parregullt nga Afrika me destinacion Evropën, përjetuan momente të rrezikshme me 22 gomone, 30 varka dhe 5 goma deti. Migrantët e parregullt të shpëtuar në ujërat e Marokut, pas ndihmës së parë, iu dorëzuan autoriteteve përkatëse për zbatimin e procedurave të nevojshme.

Çdo vit mijëra migrantë lundrojnë nga Afrika në Mesdhe për të arritur në Evropë me shpresë për një jetë më të mirë. Disa nga migrantët arrijnë në Evropë ndërsa një pjesë e tyre humbin jetën në det. /aa