Shpirti i këtij populli nuk shuhet

Prof. Arben Desku

Ditëve të fundit u hodha mbi hartat dhe librat e gjeografisë, detyrimisht nga zemra e plasur për shkak të zhvillimeve të fundit në vendin tonë. Për të reduktuar nervozën dhe mosdurimin, e kaluara e largët e këtij populli, më nxjerr nga e tashmja tragjike. Këto harta për mua janë si mirazhi i oazave në Erg-er-Ravi që u shfaqen beduinëve të etur, por kur arrijnë të vendi, oaza nuk është askund! Dhe ata të etur si janë, sakrifikojnë një deve për ta shuar etjen.
E përderisa kaloj nëpër këto harta, e kuptoj që ne pikërisht kemi qënë deveja e sakrificës, për të shuar etjen e të eturve ndër shekuj. Erdhen njëri pas tjetrit, ca si miq e ca si armiqë dhe secili, mik apo armik, nuk la pa pirë nga uji i kësaj deveje të sakrifikuar. Madje edhe kur menduam se nuk ka më çfarë për të pirë, kuptuam që nuk do e linin pa i kulluar edhe pikat e fundit të mbetura, derisa të mos mbetet më fare. Do shtrydhin e shtrydhin pa mëshirë, derisa të mbetet vetëm lëkura e tharë e kësaj deveje të pafatë.

Pengesa më e madhe në rrugën e një populli është frika. Një popull që nuk guxon, shkelet. Frika është ajo shpata e mprehtë mbi qafë që nuk të lë ta ngrisësh kokën kurrë. Frika të vendosë në një ambient pasigurie e dyshimi. Nuk të lë të ndërmarrësh asnjë hap për të ndryshuar realitetet ekzistuese.
Thonë se qeni e ndjen frikën e njeriut, e nuhatë. Po vrapove, të ndjekë pas. Ama po qëndrove dhe e kape shkopin, ai ikën me bisht ndër shalë. Kam parë frikë. E di si duket. Kam parë qenë që ndiqnin njerëz të frikësuar. Kam parë gjak, lotë, britma… Por, kam parë guxim e trimëri. Kam parë njerëz që ngriten mbi frikën e tyre dhe më nuk frikësohen kurrë. Frika i ka bërë të guximshëm.

Përderisa kaloj nëpër harta, sikur e ndjej frymën e këtij populli. Cili popull do duronte më shumë dhe do mbijetonte!? Një popull pa krahë, i rrethuar me armiqë, i urrejtur nga një kontinent, madje edhe nga ata kinezët e largët, që nga u erdhi ideja të na urrejnë nuk e kuptoj fare, e prapë duron! Prapë tenton ta marrë në dorë fatin e tij, prapë ngritet mbi realitetet e hidhura të kohës dhe shpreson! Njëmend shpreson! Kjo më ndihmon të marrë frymë, kjo më ndihmon tu jap shpresë të tjerëve. Se ne nuk mposhtemi! Derisa të shkelë edhe një këmbë e vetme shqiptari në këtë vend, këtu do të quhet Shqipëri. Le të na nënçmojnë, ofendojnë e shkelin, durimi i këtij populli do të shpërblehet. Dhe kjo nuk është ëndërr, as përrallë, është realiteti i 2 mijë viteve, që fshinë nga faqja e dheut të tjerët, e ne jemi këtu duke luftuar ende, dhe do të luftojmë edhe për një kohë të gjatë me ata që duan të luftojnë, e do jemi paqësorë me ata që duan paqe. Shpirti i këtij populli nuk shuhet lehtë.

Nga: Arben Desku