“Shqipëria do të bashkohet me BE-në për sanksionet ndaj Rusisë”

Olta Xhaçka

“Vendosëm t’i bashkohemi deklaratës së BE-së që dënoi fuqishëm vendimin e Rusisë… deklaratë që përcaktoi se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë. Ne do të bashkohemi edhe me këto sanksione”, tha Xhaçka

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, gjatë fjalës në seancën parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë ka deklaruar se Shqipëria i është bashkuar deklaratës së Bashkimit Evropian (BE) që përcaktoi se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë.

Duke folur për ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Xhaçka tha se ky veprim është agresion jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj rendit të paqes dhe sigurisë në Evropë e në botë.

“Pushtimi i Ukrainës është shkelje flagrante e marrëveshjeve të firmosura nga vetë Rusia, e së drejtës ndërkombëtare në tërësinë e vet, dhe e Kartës së OKB-së. Shqipëria mbështet me vendosmëri pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës, në respekt të parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane dhe globale, dhe të dhe angazhimeve ndërkombëtare”, u shpreh Xhaçka.

Ajo ka shtuar se Shqipëria po vazhdon të koordinohet me vendet aleate në kuadër të NATO-s dhe OSBE-së, në takimet e nivelit të lartë që po përgatiten në këto organizata, dhe në dialog me Bashkimin Evropian, sipas saj “për një reagim të bashkërenduar që do të përfshijë sanksione të rënda kundër Rusisë.”

“Që në krye të herës i jemi bashkuar sanksioneve ekonomike që BE-ja vendosur ndaj Rusisë, duke marrë mbi vete edhe sanksionet që Rusia ka vendosur si reagim. Dje vendosëm t’i bashkohemi deklaratës së Bashkimit Evropian që dënoi fuqishëm vendimin e Rusisë për të njohur rajonet Donetsk dhe Luhansk, si entitete të pavarura dhe vendimin që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona, deklaratë që përcaktoi se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë. Ne do të bashkohemi edhe me këto sanksione”, ka shtuar ministrja Xhaçka.

Ajo ka shtuar se qytetarëve shqiptarë që kanë kërkuar ndihmë u është sugjeruar kalimi me rrugë tokësore në kufirin me Poloninë ose Rumaninë dhe sipas saj ambasadat e Shqipërisë në këto dy vende janë të gatshme për t’i pritur dhe asistuar.

Kujtojmë se zyrtarët e lartë të Shqipërisë dënuan ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke shprehur solidaritet me popullin ukrainas. /aa